Anesteziologu Jusufi: QKUK-ja me vetëm 42 anesteziologë, prandaj ka lista pritjesh dhe shtyrje operacionesh

Publikuar më:

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) po përballet me mungesë të theksuar të anesteziologëve, duke e vënë në vështirësi funksionimin normal të sallave operative dhe shërbimeve të mjekimit intensiv.

Sipas anesteziologut Ismet Jusufi, Klinika e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv është klinika e dytë më e madhe në QKUK dhe mbulon 42 salla operative, 6 salla jooperative diagnostike e terapeutike, Mjekimin Intensiv Qendror me 21 shtretër, Mjekimin Intensiv Kardiokirurgjik me 10 shtretër, dy njësi gjysmëintensive dhe 6 dhoma zgjimi.

‘’Klinika e Anesteziologjisë dhe Mjekivit Intenziv është Klinika e dytë më e madhe në QKUK, e cila mbulon të gjitha sallat operative (42) dhe 6 salla joperative si diagnostike dhe terapitë që kërkojnë mbështetje anesteziologjike , Mjekimin Intenziv Qendror me 21 shtretër, Mjekimin Intenziv Kardiokirurgjik me 10 shtretër, dy gjysmëintenzive dhe 6 dhoma zgjimi’’, tha Jusufi për FrontOnline.

Jusufi tha se klinika e Anasteziologjisë bashkëvepron me mbi 70 për qind të klinikave tjera, duke ofruar shërbime mbështetëse thelbësore.

‘’Bashkëvepron me mbi 70 % të klinikave tjera kryesisht duke ofruar shërbime mbështetëse për këto klinika’’,deklaron Jusufi.

Jusufi thotë se aktualisht, në dispozicion janë 45 anesteziologë, por dy prej tyre janë me sëmundje malinje dhe njërit i skadon kontrata më 3 mars 2026, çka e ul numrin efektiv në 42 specialistë.

‘’ Aktualisht kemi në dispozicion 45 Anesteziolog, nga këta 2 janë me sëmundje malinje dhe njërit i skadon kontrata me datë 03.03.2026 që efektivisht jemi më 42 Anesteziologë’’, delaroi Jusufi.

Mungesa e stafit në Qendra Klinike Universitare e Kosovës ndikon në listën e pritjes dhe shtyrje operacionesh

Sipas anasteziologut Jusufi kjo  e bën Klinikën e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intenziv shumë vullnerabile qoftë edhe kur Anesteziologët shkojnë në pushim vjetor ose Mjekësor, që në bazë të kalkulimeve vazhdimisht rreth 15% e fuqisë punëtore ose është në pushim vjetor ose në atë mjekësor, çka tregon që numri efektiv është diku rreth 35-36 Anesteziologë.

Sipas Jusufit  marrë parasysh pushimet vjetore dhe ato mjekësore, që përbëjnë rreth 15 për qind të fuqisë punëtore, numri real në dispozicion zbret në rreth 35-36 anesteziologë. Sipas Jusufit, numri optimal i rekomanduar për të përmbushur nevojat e të gjitha klinikave kirurgjikale është rreth 120.

‘’Kjo e bën Klinikën e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intenziv shumë vullnerabile qoftë edhe kur Anesteziologët shkojnë në pushim vjetor ose Mjekësor, që në bazë të kalkulimeve vazhdimisht rreth 15% e Fuqisë punëtore ose është në pushim vjetor ose në atë mjekësor, çka tregon që numri efektiv është diku rreth 35-36 Anesteziolog. Numri optimal mi rekomanduar dhe i nevojshëm është rreth 120 Anesteziologë për të përmbushur nevojat e Klinikës’’,thotë Jusufi për FrontOnline.

Mungesa e stafit, sipas tij, ndikon edhe në listat e pritjes dhe shtyrjen e operacioneve. Megjithatë, ai thotë se volumi i punës mbetet i lartë, me rreth 20 mijë shërbime operative dhe jooperative të realizuara nga ky staf brenda vitit.

‘’ Sigurisht që duke u bazuar në përgjigjet e mësipërme kjo ndikon në këto lista, por duke pasur parasysh statistika, volumi i punës që kryhet nga ky numër iAnesteziologëve tejkalon pritshmëritë diku rreth 20000 shërbime operative dhe jooperative të ofruara nga kjo Klinikë’’ , tha anasteziologu Jusufi.

Jusufi: Ikja e anesteziologëve nga sektori publik në atë privat, arsye janë pagat

Sa i përket largimeve nga sektori publik, Jusufi konfirmon se ka rrjedhje të vazhdueshme të specialistëve drejt sektorit privat, kryesisht për arsye ekonomike, për shkak të pagave më të larta dhe kushteve më të mira të punës. Si masë për përmirësimin e gjendjes, ai njofton se 25 specialistë të rinj pritet të angazhohen së shpejti në sistemin publik shëndetësor, një pjesë e konsiderueshme e tyre në QKUK.

‘’Sigurisht që vazhdimisht ka rrjedhje të anesteziologëve drejt sektorit privat dhe arsyeja kryesore është ajo ekonomike, ku pagat janë shumë më të larta dhe kushtet e punës më të mira. Aktualisht kemi një grup prej 25 specialisësh të rinj të cilet së shpejti priten të angazhohen në systemin publik, dhe një numër i konsiderueshëm i tyre në QKUK duke pasur parasysh që edhe spitalet rajonalekanë nevojat e veta. Punësimi i tyre do të zbusë mungesën dhe do të përmirësoj shërbimin’’, përfundoi Jusufi.

JU REKOMANDOJMË