Aktakuzë ndaj një personi për vrasjen e vëllait me thikë në veri të Mitrovicës

Publikuar më:

Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër të pandehurit E.J., i cili ngarkohet për vrasjen e vëllait me thikë në veri të Mitrovicës.

Në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se vrasja ka ndodhur në nëntor të vitit të kaluar.

“Prokuroria njofton opinionin, se me datë 05 nëntor 2023 në banesën e tij në Mitrovicë – veri, i pandehuri me dashje ka privuar nga jeta viktimën – vëllaun e tij E.J., në atë mënyrë që pas një fjalosje të çastit, e sulmon viktimën me thikë të kuzhinës, me gjatësi tehu 12 cm, dhe e godet pesë (5) herë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar plagë prerëse e shpuese, dhe si pasojë e lëndimeve të marra viktima vdes në spitalin e Mitrovicës”, thuhet në njoftim.

Më këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë“ nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3 të Kodit Penal dhe “Mbajtja në pronësi, në kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal.

“Prokurori i Shtetit, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit”, thuhet në njoftim.

JU REKOMANDOJMË