Agim Bahtiri i ashpër me Hoxhajn: Në kohën e PDK-së, qytetarët paguanin haraç njerëzve në kafenetë afër Komunës

Publikuar më:

Kryetari dhe i nominuari për kryeministër i PDK-së, Enver Hoxhaj, qëndroi dje në Mitrovicë për një takim.


Enver Hoxhaj pretendoi se Mitrovica u shndërrua në qytetin më të varfër në Kosovë me qeverisjen e Agim Bahtirit. Madje, ai i shpalli “luftë” Bahtirit edhe për zgjedhjet e tetorit, kur garohet për kryetar komune.

Por, i ashpër ishte i pari i Mitrovicës, duke akuzuar partinë e Enver Hoxhajt për shumëçka, madje edhe për ryshfet, shkruan “Jepi zë”.

Bahtiri ka thënë se në kohë e PDK-së, qytetarët janë obliguar të paguajnë ryshfet tek njerëzit që rrinin në kafenetë afër Komunës.

Reagimi i plotë i Bahtirit:

Enver Hoxhaj paska folur për Mitrovicën dhe Qeverisjen time komunale, duke bërë akuza pa asnjë argumentim konkret, por vetëm duke shpifur siç dinë të bëjë partia e tij në fushata zgjedhore dhe jo vetëm.

Se kush e ka shkatërruar Mitrovicën pas luftës, duhet ta dijë më së miri Enver Hoxhaj dhe partia e tij, të cilët qytetin më të zhvilluar ekonomikisht e kanë ndarë në dy pjesë, ndarje të cilën e kanë përdorë grupet e afërta kriminale me PDK-në për kontrabandë dhe në përgjithësi për biznes me serbët e veriut.

Mitrovicën e udhëhequr nga PDK-ja e kam gjetur të rrethuar me barrikada, me vrasje si asnjë qytet tjetër e me haraç.

Sot, Mitrovica është qytet më i qetë në Kosovën, ku viti 2020 u përmbyll pa asnjë vrasje. Në Mitrovicën që e udhëheqi unë janë bërë investime prej 300 milionë euro, ku prej tyre vetëm kompania “SOËI KOSOVA” po i investon 168 milionë euro në energji të erës në Bajgorë.

Nën qeverisjen e PDK-së qytetarët për ta kryer një shërbim janë detyruar të paguajnë ryshfet tek njerëzit që kanë qendruar në kafenet pranë komunë, ndërsa nën qeverisjen time komuna e Mitrovicës sapo është shpallur nga KDI ndër dy komunat më transparente në Kosovë. Në kohën e PDK-së Mitrovica ka qenë qyteti më i ndotur në Kosovë, ndërsa muajin e kaluar Mitrovica është shpallur qyteti më i pastër në Kosovë.

• Enver, ju prej pasluftës ua keni humbur përspektivën mitrovicasve, duke shkatërruar ‘Trepçën’ përmes vendosjes në krye të saj të ish kryetarit të degës së PDK-së në Mitrovicë;

• Ju e keni dëmtuar Universitetin e Mitrovicës, duke vendosur si rektor ish sekretarin e degës së PDK-së në Mitrovicë;

• Ju e keni dëmtuar ATK-në duke e vendosur si drejtor anëtarin e Kryesisë së PDK-së;

• Ju e keni dëmtuar Akademinë e Policisë në Vushtrri, duke e bërë drejtori ish nënkryetarin e komunës që ishte nga partia e juaj;

• Ju e keni shkatërruar administratën komunale, duke punësuar familjarët e drejtorëve tuaj komunal dhe drejtuesve të degës së PDK-së;

• Ju e keni dëmtuar pronën komunale, duke i dhënë një pjesë të madhe zyrtarëve të partisë tuaj;

• Ju e jeni keni dëmtuar buxhetin komunal, ku kam gjetur miliona euro borxh kur kam ardhur në krye të komunës;

• E fundit për nga radha, por e para për nga rëndësia, ju e keni pamundësuar kthimin e shqiptarëve në veri, pasi që njerëzit e partisë tuaj kanë keqpërdorur me fondin për ri-ndërtimin e shtëpive, ku shumica nuk kanë përfunduar kurrë dhe asnjëherë s’kanë mundur të banohen.

Enver, e kuptoj që duke u marrë me mua po dëshiron ta marrësh vëmendjen e publikut në garën tënde imagjinare për kryeministër. Por duhet ta keni parasysh, se ju nuk jeni as kandidat serioz, sepse jeni veç një kukull dhe një servil që Hashim Thaçi e ka lënë për ta zëvendësuar.

Për më tepër, qytetarët e Mitrovicës e dinë më së miri kush punon e mendon për ta, ku ua treguan vendin në dy mandate, e që do t’ua tregojnë vendin edhe sivjet, sepse ata nuk duan që kapot e krimit dhe korrupsionit ta marrin komunën në duart e tyre. Edhe pak muaj kanë mbetur, kur mitrovicasit do të ri-konfirmojnë mbështetjen për qeverisjen time komunale me mbi 60% të votave.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.