Punëtori 20 vjeç humbi jetën në punishten e kompanisë “Vëllezërit Asllani”, pronë e Qazim Asllanajt

Publikuar më:

Një aksident i rëndë në vendin e punës i ka marrë jetën një punëtori 20-vjeçar në punishten e kompanisë “Vëllezërit Asllani”, pronë e Qazim Asllanajt, ndërsa një punëtor tjetër ka mbetur i lënduar.

Sipas njoftimit të Inspektoratit Qendror të Punës, aksidenti ka ndodhur gjatë montimit të një vinçi (krani) në vendpunishten e subjektit.

“Si pasojë e aksidentit, dy punëtorë kanë pësuar aksident, ku njëri prej tyre ka humbur jetën, ndërsa tjetri ka pësuar lëndime trupore”, thuhet në njoftim.

Inspektorati ka bërë të ditur se subjekti nuk kishte qenë i inspektuar më parë, pasi punimet ndodheshin ende në fazën fillestare të ndërtimit, konkretisht në realizimin e themeleve.

Lidhur me shkakun e aksidentit, autoritetet theksojnë se është ende herët për të nxjerrë përfundime, pasi rasti kërkon hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë, si dhe përgjegjësinë për zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë.

Inspektorët e Punës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke zhvilluar veprimet inspektuese në koordinim me institucionet kompetente.

JU REKOMANDOJMË