Ish-komandanti i UÇK-së nga Mitrovica, Ismet Haxha, i njohur edhe për heroizmin e tij në Vaganicë, ku gjatë luftës kishte shpëtuar tre qytetarë nga pushkatimi, është shpallur i pafajshëm në rastin e njohur si “Drenica 1”, ku akuzohej për frikësim të dëshmitarëve.
Përveç Haxhës, të pafajshëm u shpallën edhe Sami Lushtaku, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Bajram Dibrani dhe Sheremet Jashari.
Gjykata Themelore në Prishtinë liroi të gjithë të akuzuarit nga të gjitha pikat e aktakuzës, duke konstatuar se nuk është gjetur asnjë provë që do të vërtetonte fajësinë e tyre.
“Nuk është gjetur asnjë provë që do të vërtetonte fajësinë e të pandehurve”, u tha gjatë shpalljes së aktgjykimit të martën.
Sami Lushtaku nuk ishte i pranishëm në seancën e shpalljes së aktgjykimit.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit dyshoheshin se, në periudhën nga qershori 2013 deri në shtator 2015, kishin ushtruar presion ndaj dy dëshmitarëve për t’i detyruar të ndryshonin dëshmitë e tyre në rastin “Drenica”. Prokuroria i ngarkonte ata me veprat penale “pengim i dëshmisë apo procedurës zyrtare” dhe “frikësim gjatë procedurës zyrtare”.
Rasti “Drenica” lidhet me akuzat për keqtrajtim të civilëve në Likoc gjatë luftës, për të cilin më herët janë dënuar disa persona.








