Kompania HIB Petrol është shpërblyer me katër kontrata publike për furnizim me karburante, në vlerë të përgjithshme prej hiç më pakë se 8 milionë e 379 mijë e 210 euro, raporton Front Online.
Sipas rezultatit të aktivitetit të prokurimit, Agjencia Qendrore e Prokurimit ka rekomanduar për kontratë grupin e operatorëve ekonomikë HIB Petrol SH.P.K., HIB Petrol Corporation SH.P.K. dhe HIB Distribution SH.P.K.
Kontrata me vlerën më të madhe është dhënë për furnizimin me karburante për nevojat e Policisë së Kosovës.
Për këtë pjesë, të përcaktuar si LOT 1, grupi i kompanive të HIB Petrol do të përfitojë kontratë në vlerë prej 4,778,714.28 euro.
Një tjetër kontratë, në vlerë prej 1,579,406.83 euro, është dhënë për furnizim me karburante për nevojat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, në kuadër të LOT-it 3, raporton Front Online.
HIB Petrol është rekomanduar për kontratë edhe për furnizim me karburante në rajonin e Prizrenit, në nivel lokal. Vlera e kësaj kontrate, e evidentuar si LOT 6, është 623,799.90 euro.
Ndërkaq, për furnizimin me karburante për rajonet e Ferizajt dhe Gjilanit, në kuadër të LOT-it 8, grupi i operatorëve ekonomikë është shpërblyer me kontratë në vlerë prej 1,397,289.71 euro.
Në total, katër kontratat e rekomanduara për grupin e kompanive të HIB Petrol arrijnë vlerën prej:8,379,210.72 euro.






