Një aksident i rëndë trafiku me fatalitet ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë, në afërsi të nënkalimit për këmbësorë në fshatin Komoran.
Sinjali mëson se viktima e këtij aksidenti është Rea Raka, 24-vjeçare.
Sipas informacioneve të para, aksidenti ka ndodhur më 21 korrik, rreth orës 05:30, kur një veturë me targa vendore, për rrethana ende të panjohura, dyshohet se ka pësuar vetaksident.
Si pasojë e përplasjes, Rea Raka ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa tre persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore. Të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor dhe, sipas të dhënave të para, ndodhen jashtë rrezikut për jetë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Policisë së Kosovës, ekipet emergjente dhe hetuesit e aksidenteve, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar për hetim nga njësia përkatëse e Hetimeve të Trafikut, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Shkaqet që çuan deri te ky aksident tragjik ende nuk dihen dhe mbeten objekt i hetimeve.






