Policia e Kosovës në Rajonin e Mitrovicës së Jugut ka intensifikuar kontrollet në trafikun rrugor gjatë fundjavës, me fokus të veçantë tek motoçikletat dhe skuterët, duke shqiptuar mbi 280 gjoba për shkelje të ndryshme të rregullave të komunikacionit.
Sipas Policisë, aksioni është zhvilluar në kuadër të masave të shtuara për rritjen e sigurisë në trafikun rrugor gjatë sezonit veror, në koordinim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë (NjRSh) dhe njësitë e tjera policore.
Gjatë kontrolleve janë evidentuar dhjetëra shkelje, ndërsa për mungesë të dokumentacionit përkatës janë sekuestruar një automjet, pesë skuterë dhe dy motoçikleta. Për të gjitha rastet janë ndërmarrë veprimet e nevojshme policore ndaj kundërvajtësve.






