KFOR-i e largon me Inteligjencë Artificiale foton e Adem Jasharit, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, në zyrën e Sami Lushtakut.
Foto e publikuar nga KFOR
Fotografitë e Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, ish-Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, të vendosura në zyrën e Kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, janë larguar me inteligjencë artificiale nga fotografia e publikuara nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, gjatë njoftimit për takimin e zëvendëskomandantit të këtij misioni, gjeneral brigade Federico Collina, me kryetarin Lushtaku.
Kjo mund të verifikohet lehtësisht përmes krahasimit të fotografive të publikuara nga të dyja palët.
Në fotografitë e publikuara nga Sami Lushtaku për të njoftuar takimin, në sfondin e zyrës së tij shihet qartë një fotografi e vogël e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, e vendosur mbi oxhakun dekorativ, ndërsa mbi të ndodhet portreti i Adem Jasharit.
Fotografi e publikuar nga Sami Lushtaku.
Ndërsa, në fotografitë e publikuara nga KFOR-i për të njëjtin takim, këto foto nuk shfaqen. Nga imazhet duket se hapësira ku ato ndodheshin është modifikuar digjitalisht, duke larguar elementet që ishin të dukshme në fotografitë origjinale.







