Zbulohet arsenal municioni në një shtëpi të braktisur në Zubin Potok, sekuestrohen 450 fishekë

Publikuar më:

Një sasi e madhe municioni është sekuestruar në orët e para të mëngjesit në fshatin Bërllatë të Zubin Potokut, pasi Policia gjeti qindra fishekë të fshehur në një shtëpi të vjetër dhe të pabanuar.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rreth orës 02:00, njësia e Njësisë Rajonale për Siguri dhe Reagim të Shpejtë (NJRSH) e Mitrovicës së Veriut, gjatë veprimeve operative në terren, ka hasur në një shtëpi të braktisur, ku janë gjetur:

432 fishekë të kalibrit 7.62 mm;
18 fishekë të armës së gjatë, me kalibër ende të paidentifikuar.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë relevante të Stacionit Policor në Zubin Potok, të cilat kanë sekuestruar të gjithë municionin në cilësinë e provave materiale.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Policia ende nuk ka arritur të identifikojë pronarin e shtëpisë ku u gjet municioni, ndërsa hetimet për zbardhjen e rastit janë në vazhdim.

JU REKOMANDOJMË