Gazetarja Arlinda Sejda ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga Radiotelevizioni i Kosovës (RTK), duke i dhënë fund angazhimit të saj pas dhjetë vitesh pune në transmetuesin publik.
Përmes një reagimi publik, Sejda ka bërë të ditur se vendimin e ka marrë për të mbrojtur parimet bazë të profesionit të gazetarit, duke theksuar se nuk e ka pasur më të mundur ta ushtrojë profesionin në përputhje me bindjet e saj profesionale, standardet etike dhe përgjegjësinë ndaj publikut.
Ajo është shprehur se gjatë gjithë karrierës së saj ka besuar në gazetarinë e bazuar në verifikimin e fakteve, pavarësinë profesionale dhe interesin publik, duke theksuar se pikërisht këto parime e kanë shtyrë të marrë vendimin për t’u larguar nga RTK.
Sejda e ka cilësuar dorëheqjen si një akt personal dhe profesional, të ndërmarrë për të ruajtur integritetin dhe për të qenë në përputhje me ndërgjegjen e saj profesionale.
Në fund të reagimit, ajo ka falënderuar kolegët me të cilët ka bashkëpunuar ndër vite, si dhe qytetarët për besimin e dhënë, duke ritheksuar se besimi i saj në gazetarinë e lirë, profesionale, të pavarur dhe të bazuar në fakte mbetet i palëkundur. Sejda ka vlerësuar se një gazetari e tillë është themel i një shoqërie demokratike dhe një vlerë për të cilën ia vlen të qëndrohet me dinjitet.





