Profesori amerikan, njëherit njohës i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, ka kritikuar Gjykatën Speciale për mbajtjen për një kohë kaq të gjatë në paraburgim të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët akuzohen për krime të pretenduara lufte.
Derisa shprehet i penduar për mbështetjen që i ka dhënë themelimit të Speciales, Sewer thekson se paraburgimi i gjatë nuk justifikohet në asnjë rrethanë.
“Ajo që do të thosha është se më vjen keq që e kam mbështetur krijimin e këtyre Dhomave të Specializuara, sepse mendoj se paraburgimi i gjatë, si para fillimit të gjykimit ashtu edhe gjatë procesit gjyqësor, ka qenë i pajustifikuar, sipas mendimit tim. Nuk shoh asnjë rrethanë që do ta justifikonte një gjë të tillë”, deklaroi ai për Ekonomia Online.
Prokuroria e Speciales tenton që ta paraqesë UÇK-së si një strukturë mirë e organizuar, por Serwer, që tregon se ia njeh rolin e ish-Presidentit Hashim Thaçi mirë, e hedh poshtë një gjë të tillë.
“Ndjenja ime e fortë, veçanërisht sa i përket Hashim Thaçit, sepse e njoh atë dhe e njoh më mirë rolin e tij sesa të të tjerëve, është se ai nuk ka pasur autoritet komandues mbi UÇK-në dhe se mbajtja e tij përgjegjës mbi këtë bazë do të ishte një gabim serioz”, potencoi ai ndër të tjera.







