Kompania Meditech, e afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, ka fituar edhe dy tenderë nga institucionet shëndetësore publike, duke e çuar në 176 numrin e tenderëve të fituar që nga koha kur Albin Kurti është në pushtet.
Më 1 qershor 2026, u nënshkrua kontrata për furnizim me material nga Hemodializa për SHSKUK në vlerë 80 mijë e 848 euro.
Edhe një tender tjetër u dha më 12 qershor 2026, për furnizim me thjerrëza dhe material përcjellës për oftalmo.
Vlera e kontratës është 88 mijë e 560 euro dhe autoriteti kontraktues është Spitali i Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhi Beqiri” Mitrovicë.
Pikërisht familjen e pronarit të kompanisë Meditech, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e kishte vizituar më 5 prill.
Për këtë, Kurti kishte njoftuar në Facebook. Ai tregonte se kishte vizituar familjen e Pashk Stakës, babait të Stak Stakës, pronarit të kompanisë Meditech.

Foto nga vizita e Kryeministrit Kurti te familja Staka
Në këtë kompani, Staka është pronari më i madh me 70 për qind të aksioneve.
VOX Kosova raportoi se që nga viti 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje mori pushtetin, Meditech me bashkëpronar Arianit Jakupin pati fituar plotë 174 tenderë publikë.
Vlera e tyre mbi 89 milionë euro.
Këta tenderë u dhanë nga Ministria e Shëndetësisë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës dhe institucionet tjera të rëndësishme publike shëndetësore.
Por, si është e mundur që një kompani të fitojë kaq shumë tenderë?
Arianit Jakupi njëri nga pronarët e kësaj kompanie ka mbajtur pozita publike, përfshirë atë Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, të Kryetarit të Odës së Farmacistëve të Kosovës dhe ekspertit të jashtëm të shëndetësisë gjatë kohës edhe kur Ministër ka qenë Arben Vitia.
Madje, hiç më larg se në fillim të vitit 2023, Jakupi kishte qenë pjesë e grupit punues për programet specifike me barna dhe material medicinal nga lista e barnave esenciale për vitin 2023 në cilësinë e ekspertit të jashtëm.
Dhe rezultati dihet. Tenderë për furnizim me barna nga lista esenciale fiton Kompania Meditech.
Pikërisht në vitin 2023, Jakupi i bashkohet kompanisë Meditech dhe atë si bashkëpronar.
Pra, kjo do të thotë se në një periudhë jo të largët, ai ka qenë pjesë e grupit punues për programet specifike me barna nga lista esenciale dhe më pas ka kaluar si bashkëpronar te kompania që fitoi tenderë për furnizim me barna nga lista esenciale.









