Humanisti dhe drejtuesi i organizatës “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati, ka bërë një thirrje publike për qytetarët që të kenë kujdes nga mashtrimet online dhe kontaktet e rreme nga persona që po përdorin emrin dhe fotografinë e tij.
Përmes një njoftimi, Kastrati ka bërë të ditur se persona të paautorizuar po kontaktojnë qytetarë duke u prezantuar në emër të tij dhe duke kërkuar mjete financiare.
Ai ka theksuar se as ai personalisht dhe as organizata “Jetimat e Ballkanit” nuk kërkojnë donacione përmes mesazheve private, telefonatave apo profileve jozyrtare.
Njoftimi i plotë:
PARALAJMËRIM PËR QYTETARËT
Të dashur vëllezër dhe motra,
Po ju drejtohem me një njoftim shumë të rëndësishëm.
Kohët e fundit, persona të pandërgjegjshëm po keqpërdorin emrin dhe fotografinë time për të kontaktuar qytetarë dhe për të kërkuar para në mënyrë mashtruese. Dua t’ju njoftoj qartë dhe pa asnjë dilemë se unë personalisht dhe organizata “Jetimat e Ballkanit” nuk kërkojmë para nga askush përmes mesazheve private, telefonatave apo profileve të paautorizuara.
Ju lutem, mos dërgoni para dhe mos ndani të dhëna personale me persona që pretendojnë se janë unë ose se veprojnë në emrin tim pa ndonjë konfirmim zyrtar.
Për këtë rast tashmë janë ndërmarrë veprime ligjore dhe është bërë padi pranë institucioneve kompetente. Besoj dhe kërkoj që organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre, të identifikojnë personat përgjegjës dhe t’i vënë para drejtësisë.
Më dhemb fakti që dikush përpiqet të përfitojë nga besimi i njerëzve dhe nga ndjenja e solidaritetit që kemi ndërtuar së bashku ndër vite. Prandaj ju ftoj të jeni të kujdesshëm dhe të informoni edhe familjarët e miqtë tuaj që të mos bien pre e këtyre mashtrimeve.
Një nga numrat që është raportuar se po përdoret për këto kontakte është: +389 71 756 745.
Çdo aktivitet i yni bëhet vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe me transparencë të plotë.
Ju falënderoj për besimin, mbështetjen dhe kujdesin tuaj.
Me respekt,
Halil Kastrati









