Në mbledhjen e 147 të Këshillit Shtetëror për Cilësi (KSHC), të mbajtur më 23 mars 2026, është miratuar raporti i ekspertëve ndërkombëtarë për riakreditimin e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) për periudhë 5-vjeçare. Miratimi i vendimit për riakreditimin e UMIB për periudhën shtator 2026 – shtator 2031 është konfirmuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA).
Lajmi për riakreditim është mirëpritur nga të gjitha strukturat e UIBM. Rektorja, prof.dr. Nurten Deva, tha se riakreditimi për një periudhë 5-vjeçare dëshmon ngritjen e cilësisë në UIBM, duke përfshirë mësimdhënien, mësimnxënien, shërbimet administrative etj.
Rektorja Deva në emër të menaxhmentit të UIBM, falënderon të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në procesin e riakreditimit, duke filluar nga Këshilli Drejtues, Senati, prorektorët, dekanët, stafi akademik, administrata, studentët, drejtuesit e kompanive publike dhe private, organizatat vendore dhe ndërkombëtare etj. “Ky vlerësim përfaqëson jo vetëm një standard të lartë akademik dhe institucional, por edhe dëshmi të një kulture organizative të ndërtuar mbi cilësinë, profesionalizmin, integritetin dhe bashkëpunimin ndërsektorial”, thekson ajo.
Arritja e këtij akreditimi, sipas saj, është rezultat i punës së përbashkët, vizionit të qartë strategjik dhe angazhimit të palëkundur të të gjithë aktorëve të komunitetit universitar. “Ky sukses na obligon të vazhdojmë me përgjegjësi edhe më të madhe drejt zhvillimit të mëtejshëm akademik, kërkimit shkencor, inovacionit dhe shërbimit ndaj shoqërisë”, thotë rektorja Deva.






