Përveç kthimit gradual të qytetarëve shqiptarë në pjesën veriore të Mitrovicës, rikthime po ndodhin edhe në komunën e Zveçanit. Pas gati tri dekadash mungesë, një qytetare shqiptare ka vizituar shtëpinë e pushimeve të familjes së saj në këtë komunë, duke ndarë emocionet dhe kujtimet e një rikthimi të shumëpritur, shkruan “Jepi zë”.
Në një rrëfim emocional të publikuar në rrjetet sociale, ajo tregon se Zveçani për të kishte mbetur vetëm si një kujtim i largët nga fëmijëria – një fotografi e zbehtë në mendje, e mbajtur gjallë nga rrëfimet e familjarëve.
“Pas 28 vitesh na erdhi një telefonatë nga shteti ynë. Një zë na tha se mund të kthehemi, se është e sigurt dhe se shtëpia jonë na pret,” shkruan ajo.

Familja e saj kishte lënë shtëpinë në vitin 1998, me shpresën se një ditë do të kthehej. Sipas saj, kjo shtëpi ishte ndërtuar me mundin e gjyshit të ndjerë, i cili kishte punuar gjithë jetën për të krijuar një vend ku familja të mblidhej gjatë fundjavave.
Ajo kujton se gjyshi i saj kishte përjetuar padrejtësi që në moshë të re, duke u arrestuar dhe maltretuar në moshën 13-vjeçare vetëm për shkak të prejardhjes familjare. Megjithatë, ai nuk ishte dorëzuar dhe kishte arritur të ndërtojë shtëpinë që sot mbetet simbol i kujtesës familjare.
Po ashtu, ajo kujton edhe gjyshen e ndjerë, e cila kishte gjetur qetësi duke u kujdesur me përkushtim për oborrin e shtëpisë, madje duke fituar disa herë çmime për kopshtin më të mirë në Mitrovicë.
Megjithëse shtëpia sot është në gjendje të rënduar dhe e dëmtuar nga koha, ajo thotë se diçka ka mbetur e paprekur: historia dhe kujtimet e familjes. Brenda saj ende ruhen fotografitë e xhaxhait të ndjerë dhe të fëmijëve të familjes, të cilat i kanë mbijetuar viteve të mungesës.








