Vjosa Osmani ka lënë të nënkuptohet se 28 dhjetori ishte përzgjedhje e qëllimshme e datës së zgjedhjeve për hir të Kurtit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e pyetur në intervistën për Syri TV për akuzat se është bërë bashkë me Kryeministrin Edi Rama për ndonjë komplot të mundshëm kundër Qeverisë së Albin Kurtit, është treguar e ashpër në përgjigje.
Ajo i ka kërkuar Kurtit dhe të tjerëve që të nxjerrin dëshmi për pretendimet.
Ajo mes rreshtave “ka rrëshqitur” duke lënë të nënkuptohet se 28 dhjetori ishte përzgjedhje e qëllimshme e datës së zgjedhjeve për hir të Kurtit.
“Pra, a ia pasna organizuar unë pas shtatorit puçin zotit Kurti, duke ia dhënë datën 28 dhjetor, a duke ia hequr masat Kosovës?” deklaroi Osmani ndër të tjera.
“Sikur këto sulme të drejtoheshin nga Vuçiqi e Serbia, që ka kryer akt agresioni ndaj Kosovës, atëherë do të arrinim shumë. Por për fat të keq kanë gjetur gjuhë të linçimit ndaj meje, pa asnjë dëshmi të vetme. Unë i bëj thirrje të gjithëve, nga Kryeministri Kurti deri te deputeti i fundit: le të paraqesin faktet, ku i keni faktet, ku i keni dëshmitë, që Presidentja e Kosovës është involvuar në ndonjë komplot”, tha Osmani.
Ajo ka folur edhe për mundësinë që ajo të merrte një mandat të dytë, duke deklaruar se nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta kishte propozuar atë si kandidate të vetme, ajo sot do të ishte rizgjedhur presidente. Osmani ka treguar gjithashtu se ka pasur përkrahje të deputetëve të opozitës, sidomos nga LDK-ja dhe disa parti të vogla. Ajo theksoi se pas diskutimeve individuale, ishte e bindur se mund të siguronin rreth 80 vota pa problem.
“Sikur të propozohesha si kandidatja e vetme e LVV-së dhe të kishim një kandidat formal tjetër, jam e bindur se sot do të kishim presidente, do ta kishim qeverinë Kurti dhe do të diskutonim për kapitalizimin e përkrahjes së jashtëzakonshme nga administrata Trump 2”, tha Osmani.
Megjithatë, ajo shtoi se kur u pa se mund të kishte shanse reale për rizgjedhje, LVV-ja dhe personalisht Kryeministri Albin Kurti nuk e mbështetën kandidaturën e saj.
“Sa më shumë që punoja me opozitën dhe siguroheshim për votat, aq më shumë erdhi vlerësimi i ri nga LVV-ja se nuk do të më mbështesnin”, u shpreh Osmani.









