Pas dorëheqjes së Haxhi Avdylit, priten largime të tjera nga GUXO: Shkaku, mos përkrahja e drejtuesve të partisë dhe sulmet ndaj Vjosa Osmanit

Publikuar më:

Pas sulmeve dhe kritikave ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, deputeti Haxhi Avdyli ka dhënë sot dorëheqje nga partia GUXO, duke e cilësuar vendimin e tij si një akt proteste për të mos u identifikuar me, siç tha ai, një fushatë linçuese ndaj presidentes.

Burime politike bëjnë të ditur se pas dorëheqjes së Avdylit mund të ketë edhe largime të tjera nga kjo parti. Sipas këtyre burimeve, së shpejti pritet edhe dorëheqja e një deputeteje nga GUXO, e cila mund të rreshtohet politikisht në krah të presidentes Osmani.

Si emër i mundshëm për largim nga partia është përmendur deputetja Jeta Statovci. Ndërkohë, deputeti dhe profesori Nezir Kraki ka shprehur publikisht përkrahjen e tij për presidenten Osmani.

Sipas burimeve, largimi i mundshëm i Statovcit lidhet me faktin se drejtuesit e partisë GUXO janë rreshtuar kundër presidentes Osmani në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, duke mbështetur qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti.

Ndryshe, partia GUXO ishte themeluar nga Vjosa Osmani, por pas marrjes së mandatit të presidentes ajo ishte detyruar të japë dorëheqje nga drejtimi i saj. Aktualisht, partia drejtohet bashkërisht nga Donika Gërvalla dhe Faton Peci.

Gërvalla, përmes veprimeve dhe deklarimeve publike ditëve të fundit, është rreshtuar në krah të Kurtit, ndërsa Peci ende nuk ka dalë me një qëndrim të qartë lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.

Përplasjet politike mes Osmanit dhe Kurtit janë thelluar pas dekretit të presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, vendim që konsiderohet si momenti i ndarjes përfundimtare politike mes saj dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Pas këtij zhvillimi kanë nisur edhe akuzat dhe kundërakuzat mes dy kampeve politike.

JU REKOMANDOJMË