Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Agim Bahtiri, ka reaguar ndaj, siç e ka quajtur ai, një fushate të qëllimshme kundër tij lidhur me votimin e pakos për zgjedhjen e pesë nënkryetarëve të Kuvendit.
Bahtiri ka deklaruar se qëndrimi i tij ndaj Lista Serbe mbetet i pandryshueshëm, duke rikujtuar se më 10 tetor 2025 kishte bërë publike se nuk voton për përfaqësues të kësaj partie, pasi, sipas tij, Kosova ka përfaqësues serbë jashtë asaj strukture që mund të ushtrojnë funksione institucionale me dinjitet.
Postimi i plotë:
Për ata që po shesin moral politik: Mos bëni filma!
Mos u mundoni të na fusni në një thes me juve. Ne nuk i kemi në qeveri miqtë tuaj të vjetër, Listën Serbe, pa të cilët nuk keni mundur asnjëherë të formoni Qeverinë dhe Institucionet, e as nuk bëjmë marrëveshje në pikë të natës, me meze e raki në tavolinë sikur ju me ata.
⸻
SQARIM për qytetarët,
Duke e parë se po zhvillohet një fushatë e qëllimshme kundër meje, duke tentuar të shtrembërohet e vërteta rreth votimit të pakos për zgjedhjen e 5 nënkryetarëve të Kuvendit, po flas qartë, pa ekuivoke, sepse e kemi obligim moral qe t’iu sqarohemi qytetarëve që na kanë besuar voten.
Qëndrimi im ndaj Listës Serbe ka qenë dhe mbetet i pandryshueshëm. Me 10.10.2025 kam deklaruar publikisht se nuk votoj përfaqësues të Listës Serbe, sepse besoj se Kosova ka përfaqësues serbë jashtë asaj strukture që mund ta ushtroj atë funksion me dinjitet institucional.
Më 4 shkurt, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës nxori një vendim imponues (e përkthyer bukfalist: Pa përfaqësuesin e Listës Serbe nuk do të ketë konstituim të Kuvendit). Edhe atë ditë reagova publikisht kundër këtij vendimi, sepse akoma e konsideroj të padrejtë dhe cenim të vullnetit qytetar. Pra, unë e kam kundërshtuar vendimin e Gjykatës, sepse më është dukur e padrejtë, por unë si deputet, nuk e shkel asnjëherë me dijeninë time vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që është organi më i lartë i shtetit.
Rrjedhimisht nga kjo, në seancë nuk është votuar individi, por një pako institucionale e domosdoshme për funksionalizimin e Kuvendit. Vota ime ka qenë për stabilitet institucional, për funksionimin e shtetit dhe për përfaqësuesin e Lëvizjës Vetëvendosje, z. Ardian Gola dhe jo për bllokadë. Këtë vendim e kemi marrë si grup parlamentar.
Ky është dallimi mes politikës së parimeve dhe politikës së manipulimit.
Unë nuk tërhiqem nga qëndrimet e mia, por as si Lëvizje nuk lejojmë që Kosova të futet në krizë institucionale për interesa të ulëta ditore.
AB








