Edhe pse pati shumë zhurmë nga deputetet e VV-së për takimet me zyrtarë serbë jashtë syrit të publikut në Zvicër, megjithatë dolën fotografitë dhe detajet e diskutimeve. Këshilli për Qeverisje Përfshirëse tregoi se deputetët kosovarë dhe ata serbë kishin diskutuar për një sërë çështjesh, përfshirë Asociacionin.
Më 14 nëntor të vitit 2023, pra pas sulmit terrorist në Banjskë, ku edhe u vra një rreshter i Policisë së Kosovës, disa deputetë të Kosovës dhe të Serbisë u mblodhën në Solothurn të Zvicrës për diskutime rreth normalizimit të raporteve.
Partia në pushtet i pati dy përfaqësuese aty, Mimoza Kusari-Lilën dhe Fitore Pacollin. Edhe pse njihet për gjuhën e ashpër në publik ndaj Listës Serbe dhe Serbisë, VV-ja i dërgoi dy deputete për të folur me anëtarë të Listës Serbe dhe të partisë se presidentit serb, Aleksandar Vucic.
Në këtë takim nga Lista Serbe merrte pjesë Dalibor Jevtic, ndërsa nga partia e Vucic-it ishte Nemanja Starovic. Pati edhe pjesëmarrës të tjerë nga Serbia, ndërsa edhe LDK-ja, PDK-ja dhe AAK-ja i patën përfaqësuesit e vet.
Prej pikave të diskutimit që i publikoi vetë organizata zvicerane, si duket çështja e Asociacionit kishte qenë më kryesorja. Edhe pse nuk kishte pasur dakordim të plotë nga palët për kohën dhe mënyrën e krijimit të Asociacionit, të gjithë ishin pajtuar se nëse liderët e Kosovës dhe Serbisë pajtohen për ta krijuar këtë mekanizëm, atëherë edhe ata e pranojnë
”Pjesëmarrësit u pajtuan se kjo është çështje që duhet të vendoset nga lidershipi i lartë. Nëse lidershipi i lartë pajtohet ta krijojë atë, pjesëmarrësit thanë se marrëveshja duhet të zbatohet”, thuhet në raportin e këtij këshilli.
Ndër të tjera, pjesëmarrësit e këtij diskutimi ishin pajtuar edhe për përfshirjen më të madhe të gjuhës serbe në universitetet publike të Kosovës, si dhe për një plan të zhvillimit ekonomik në veri të vendit.
Vetëvendosja është partia e cila më së shumti e ka përdorur Listën Serbe për të bërë zhurmë në publik dhe për t’i paraqitur partitë e tjera si kinse në një linjë me këtë parti serbe. Sidoqoftë, vetë deputetet e kësaj partie merrnin pjesë në këso diskutimesh diskrete me zyrtarë nga Serbia.






