E kapin me drogë në veturë – I riu nga Mitrovica ndalohet me substancë narkotike në Gazivodë

Publikuar më:

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.

Një kontroll rutinë i Policisë në fshatin Gazivod të komunës së Zubin Potokut, ka rezultuar me zbulimin e një sasie droge në një veturë me targa të Kosovës.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është regjistruar dje, rreth orës 17:30, kur patrulla policore ka ndaluar një veturë të tipit “Ford Focus”, ngjyrë hiri, në të cilën ndodheshin tre persona.

Gjatë kontrollit, në ulësen e pasme – aty ku ishte i ulur L. S, 20-vjeçar nga Mitrovica e Veriut – është gjetur një cigare me substancë të dyshuar narkotike dhe disa letra për mbështjelljen e saj.

Sasia e drogës është peshuar dhe ka rezultuar të jetë 1 gram. Me urdhër të prokurorit, substanca është sekuestruar, ndërsa personat janë intervistuar dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt.

Rasti është iniciuar për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.

JU REKOMANDOJMË