Avokati Arianit Koci ka reaguar pas ndalimit të Arbnor Spahiut, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative (NjSO), i cili më 7 qershor është ndaluar nga autoritetet serbe në pikën kufitare të Horgoshit dhe është dërguar në qendrën e ndalimit në Kanjizë.
Sipas avokatit Koci, ndonëse Spahiu tash e tri vite nuk është pjesë e Policisë së Kosovës dhe jeton në Gjermani, ai është marrë në pyetje për rastin “Banjska”. Koci thekson se klienti i tij nuk ka qenë pjesë e policisë në kohën kur ka ndodhur ky rast dhe se ndalimi i tij përbën një akt serioz dhe aspak të izoluar.
Në këtë kontekst, Koci ka përmendur edhe një rast tjetër të kohëve të fundit, ku ish-policit Aleksandar Vlajiq i është provuar fajësia për bashkëpunim me shërbimin sekret serb (BIA), duke e pranuar se ka vepruar si spiun brenda institucioneve të sigurisë së Kosovës. Ai thekson se ndalimi i Spahiut mund të interpretohet si një reagim i drejtpërdrejtë ndaj këtij zbulimi, me qëllim frikësimi, ndëshkimi dhe krijimi të pasigurisë, veçanërisht për ata që kanë shërbyer në institucionet e sigurisë së Kosovës.
Avokati Koci thekson se ky është një sinjal alarmues për të gjithë qytetarët e Kosovës: kalimi nëpër Serbi mbart rreziqe reale. Ai ka kujtuar se para pak ditësh është ndaluar edhe një ish-deputet, i cili pas disa orësh marrje në pyetje është liruar.
Ai ka bërë të ditur se është angazhuar me të gjitha mjetet ligjore për mbrojtjen e Arbnor Spahiut, por sipas tij, kjo nuk është e mjaftueshme. Koci kërkon reagim urgjent nga Ministria e Punëve të Jashtme, Zyra Ndërlidhëse në Beograd dhe të gjitha institucionet kompetente, duke paralajmëruar se heshtja e institucioneve vetëm sa e inkurajon Serbinë të vazhdojë me veprime të tilla.
“Askush nuk duhet të përballet i vetëm me një padrejtësi të tillë. Unë nuk e lë vetëm askënd – do të jem aty me të gjitha mundësitë dhe kapacitetin profesional që kam,” ka theksuar Koci, duke shtuar se kultura shtetërore dhe patriotizmi fillojnë pikërisht aty – te mbrojtja e qytetarëve të vet.
Sipas tij, motoja që duhet të udhëheqë institucionet dhe shoqërinë është: “Të gjithë për një, një për të gjithë – pa paragjykime, me drejtësi.”