Liridon Osmani nga Vushtrria ka thënë për Insajderin se është sulmuar nga dy persona të maskuar, teksa po e shoqëronte vajzën në çerdhe. Ai dyshon se pas sulmit qëndrojnë anëtarë të familjes Gërbeshi, me të cilët ka pasur mosmarrëveshje për disa prona që pretendon se i ka blerë.
Lidhur me këtë rast, policia në një përgjigje për Gazetën Insajderi thanë se rasti është iniciuar për veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor”.
Policia thotë se janë duke punuar për identifikimin e dy personave të dyshuar, që në momentin e kryerjes se veprës penale ishin me një motoçikletë dhe me helmeta në kokë.
“Me datën 20 maj 2025, në cilësi të viktimës ka raportuar rastin e iniciuar për hetim vepër penale ” lëndim i rëndë trupor ” Hetuesit e Sektorit Rajonal, janë duke zhvilluar hetime për identifikimin e dy personave të dyshuar, që në momentin e kryerjes se veprës penale ishin me një motoçikletë dhe me helmeta në kokë. Ju njoftojmë se i njëjti në cilësi të ankuesit në dy muajt e fundit ka të raportuar edhe dy raste ‘ Kanosje” të dy rastet pas hetimeve dhe intervistimeve të të dyshuarve janë proceduar në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
Edhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka konfirmuar për Insajderin se janë duke u zhvilluar hetime ndaj tre personave të dyshuar, dhe se janë sekuestruar kamerat e sigurisë dhe telefona.
“Për rastin, është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe është iniciuar rast për veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor me mjet. Rasti është në fazën e hetimeve preliminare në bashkëpunim me policinë”, thuhet në përgjigjen e tyre.
“Është marrë dëshmi nga viktima, jemi në përcjellje të kamerave të sigurisë si dhe janë sekuestruar disa telefona. Ndaj tre (3) personave janë duke u zhvilluar hetime për këtë rast.” thuhet në përgjigjen e prokurorisë.
Ndërkohë, është konfirmuar se janë në proces edhe dy raste të tjera të raportuara nga i njëjti person në fillim të muajit maj.
Sipas Osmanit, më 22 prill ka paraqitur një kallëzim penal për kanosje ndaj Rrahman Gërbeshit, ndërsa një javë më vonë edhe ndaj Agim Gërbeshit për të njëjtën vepër.
Më 14 maj, ai ka denoncuar disa persona të tjerë për uzurpim të pronës, duke përfshirë, sipas tij, Albin, Ibrahim, Rrahman, Tahir dhe Agim Gërbeshin.
Po ashtu, ai pretendon se Agim Gërbeshi ka tentuar ta godasë me veturë në një rast tjetër, ku pasagjer në makinë dyshohet të ketë qenë Albin Gërbeshi – edhe ky rast është raportuar në muajin maj.
Prokuroria ka bërë të ditur se të gjitha rastet janë në trajtim dhe hetimet janë në zhvillim.