Një sulm i harruar ndaj shtetit – ende pa drejtësi

Publikuar më:

Shkruan: Lirim Mehemtaj, gazetar dhe analist

Para nëntë vjetësh, dy persona të panjohur kaluan me një motoçikletë të vogël nëpër sheshin kryesor të Prishtinës dhe hodhën një predhë në drejtim të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës dhe Presidencës. Ky akt u cilësua menjëherë si një sulm terrorist dhe ishte ndër më seriozët që kishte ndodhur në Kosovën e pasluftës, pasi sulmohej drejtpërdrejt shteti dhe institucionet e tij më të larta, në zemër të kryeqytetit.

Megjithëse autoritetet kishin në dispozicion të dhëna të rëndësishme për zbardhjen e rastit — përfshirë informacionin për blerësin e motoçikletës dhe të celularit prej nga ishte dërguar një e-mail ku një grup i vetëquajtur “Rugovasit” merrte përgjegjësinë për sulmin — asnjë person nuk është ndaluar apo dënuar për këtë ngjarje.

Sipas burimeve zyrtare të kohës, kompania Google kishte konfirmuar vendndodhjen nga ishte dërguar e-maili. Megjithatë, pavarësisht provave, rasti u mbyll në heshtje. Aktualisht nuk ekziston asnjë hetim aktiv për këtë ngjarje që, në çdo shtet demokratik, do të konsiderohej sulm i rëndë kundër rendit kushtetues.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila në atë kohë përballej me akuza politike për përfshirje në organizimin e sulmit, asnjëherë nuk e ka pranuar autorësinë apo ndërlidhjen me këtë akt. Por çuditërisht, nuk ka kërkuar as hetim të plotë për të zbardhur të vërtetën dhe për të pastruar publikisht çdo dyshim që mund t’i jetë hedhur.

“Nuk është vetëm rasti që mbetet i pazbardhur, por më shqetësues është fakti që nuk ekziston më as interesi institucional apo shoqëror për ta hetuar atë. U sulmua qendra e shtetit me një mjet të thjeshtë si një skuter dhe një predhë, dhe sot askush nuk pyet më: kush e bëri?”, thotë autori i shkrimit, gazetari dhe analisti Lirim Mehemtaj.

Pas gati një dekade, kjo ngjarje e rëndë duket se ka rënë në harresë. As drejtësia, as politika dhe as shoqëria nuk po e kërkojnë më të vërtetën. Dhe pyetja thelbësore mbetet: si është e mundur që një akt i tillë të kalojë pa asnjë pasojë?

 

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.