Vetëm disa ditë pas hapjes me pompozitet dhe prezantimit si një nga klinikat më moderne për transplant flokësh në vend, “Care & Hair Fix”, në pronësi të stomatologut Fehim Haliti, është mbyllur nga Inspektorati Shëndetësor, pasi që e njëjta punonte ilegalisht.
Në përgjigjen për portalin Front Online, ministria e Shëndetësisë konfirmon se Inspektorati Shëndetësor ka realizuar një inspektim në klinikën Care & Hair Fix në Prishtinë dhe ka konstatuar se subjekti në fjalë nuk posedon licencën e nevojshme për të ushtruar veprimtarinë shëndetësore.
“Për këtë arsye, Inspektorati Shëndetësor ka marrë vendim për ndërprerjen e përkohshme të ushtrimit të veprimtarisë deri në licencimin e këtij institucioni. Gjithashtu, dëshirojmë t’ju informojmë se Inspektorati Shëndetësor ka konstatuar se në këtë klinikë kishte të angazhuar edhe staf të pa licencuar” thuhet në përgjigjen e ministrisë
Për këtë çështje portali ka dërguar pyetje edhe në adresë të pronarit të klinikës, por i njëjeti nuk ka kthyer përgjigje fare deri në momentin e publikimit të shkrimit
Hapja e “Care & Hair Fix” ishte shoqëruar me fushatë të fuqishme promovuese në rrjete sociale duke e paraqitur klinikën si “lider në rajon” për shërbime të mbjelljes së flokëve. Por, pas vetëm pak ditësh, kjo reklamë luksoze është zëvendësuar me shirita të kuq të Inspektoratit Shëndetësor