Ndaj ish-kryeshefit të Ndërmarrjes “Trepça”, Enis Abdurrahmani, është marrë masa më e rëndë disiplinore – largimi i përhershëm nga puna.
Në një njoftim zyrtar, Trepça ka bërë të ditur se më 18 prill 2025, Komisioni Disiplinor i ndërmarrjes ka mbajtur një shqyrtim publik për rastin e një punonjësi me inicialet E.A. Sipas njoftimit, ky punonjës është konstatuar se ka kryer shkelje të rënda të detyrave të punës.
Gazeta “Jepi zë” ka mësuar nga burime të besueshme se bëhet fjalë për Enis Abdurrahmanin, i cili deri vonë ka ushtruar funksionin e kryeshefit ekzekutiv të Trepçës.
Sipas Trepçës, Komisioni Disiplinor ka konstatuar tre shkelje kryesore të bëra nga Abdurrahmani janë Përdorim i paligjshëm i mjeteve të Trepçës, Keqpërdorim i pozitës dhe tejkalim i autorizimeve, si dhe Shkaktim i dëmit me qëllim ose nga pakujdesia e rëndë.
Në përputhje me nenin 10 të Rregullores për Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A, dhe me vendimin nr. prot: 2664 të datës 24 shkurt 2025, Komisioni ka vendosur ndërprerjen përfundimtare të marrëdhënies së punës ndaj Enis Abdurrahmanit.
Deri më tani, vetë Abdurrahmani nuk ka reaguar publikisht lidhur me këtë vendim.