Deputetja mitrovicase nga PDK-ja, Valdete Idrizi, ka reaguar për ndarjen e 36 banesave për serbët e veriut të Mitrovicës.
Ajo ka thënë se dy qeveritë të Kurtit dhe Hotit i mbyllën sytë krahas kësaj. Ndërsa shtoi se shqiptarët e zonave veriore të Kosovës nuk janë trajtuar me prioritet, ashtu siç është kërkuar.
Postimi i Idrizit:
Edhe sot u ndanë 36 banesa pa leje në Komunën Veriore të Mitrovicës për qytetarët nga Serbia, çifteve të reja të martuara, personave të zhvendosur brenda vendit. Pra vetëm për serbët. Këto banesa që u dhanë sot, ishin ndërtuar gjatë 2020-s, në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, ku banojnë edhe shqiptarët.
Unë shumë herë i kam alarmuar në Parlament të dyja qeveritë: të Kurtit dhe Hotit, për ndërtimet e mëdha e pa leje që Serbia po i bën në pjesën veriore të Mitrovicës dhe Zveçan, duke e bërë shpopullimin e shqiptarëve.
Anipse vetëm gjatë 2020-s, u dhuruan qindra banesa, u ndërtuan dhjetëra ndërtesa kolektive shumëkatëshe, qindra shtëpi, qeveritë tona heshtën. Le që heshtën, por as nuk bënë as më të voglin hap që të sigurojnë buxhetin minimal për të kthyer banorët shqiptarë në shtëpitë e veta, e as trysni në komunën e veriut që t’u ipen atyre lejet për rindërtim.
Duhet veprime konkrete e jo populizma e fjalë se janë lodhur njerëzit duke jetuar si të huaj në qytet të vetin, sepse Serbia pa asnjë pengesë po e realizon planin për spastrim etnik të shqiptarëve, e qeveritë tona heshtën. Turp!
PS: amandamentin tim si deputete për ndërtimin e shtëpive në veri nuk e aprovuan. Asnjëra nga këto dy qeveri nuk i kishte në prioritet shqiptarë e pjesës veriore e as atë pjesë.