Aksioni i sotëm antidrogë në Prishtinë, Suharekë, Pejë dhe Viti dhe Gjilan; është ngritur mbi informacione të nxjerra nga komunikimet e përgjuara në aplikacionin e enkriptuar “Sky ECC” – një platformë që për vite është përdorur nga rrjete kriminale për të koordinuar veprimtari ilegale në gjithë Evropën.
Zanafilla e hetimit daton disa muaj më parë, kur autoritetet e rendit në Kosovë, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, kanë marrë qasje në komunikimet e deshifruara të përdoruesve të Sky ECC, që dyshohej se janë të përfshirë në trafikim të narkotikëve dhe organizim të veprimtarive kriminale nga territori i Kosovës.
Komunikimet kanë përfshirë biseda, plane për shpërndarje droge, përmendje të emrave, lokacione dhe metoda të fshehjes, që kanë çuar në hapjen e një hetimi të strukturuar, me masa të fshehta teknike dhe operative për disa muaj.
Pikërisht këto informacione kanë qenë bazë për lëshimin e urdhërbastisjeve nga gjykatat, të cilat u ekzekutuan sot me asistimin e Forcave Speciale dhe Njësive të Antidrogës.
Megjithatë, ndonëse bastisjet ishin të shënjestruara dhe të sinkronizuara, asnjë sasi e substancave narkotike nuk është gjetur deri më tani, çka ka ngritur pikëpyetje nëse informacionet e Sky ECC janë të tejkaluara në kohë, apo nëse rrjetet kanë ndryshuar metodat e operimit.
Përkundër kësaj, disa persona janë arrestuar, pajisje elektronike janë sekuestruar, dhe hetimet po vazhdojnë në përpjekje për të lidhur komunikimet me veprime konkrete në terren.
Sky ECC, e konsideruar si “komunikimi i mafisë”, është aplikacioni që u thye nga autoritetet franceze dhe holandeze, duke çuar në mijëra arrestime në Evropë – dhe tani, për herë të parë, ka gjeneruar aksione edhe në Kosovë.