Ministri në detyrë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit ka deklaruar se është kompensuar për humbjen e bagazhit në një udhëtim zyrtar në Kroaci.
Sipas deklarimit të pasurisë për humbjen e bagazhit Sveçla u kompensua me 342 euro.
Më tej në bazë të Formularit të deklarimit të pasurisë për vitin 2024, Ministri në detyrë ka deklaruar se në pronësi të përbashkët ka një shtëpi në vlerë 600,000 euro dhe po ashtu edhe një lokal në vlerë të 650,000 eurove.
Para të gatshme Sveçla ka deklaruar se i ka 2,647 euro – prejardhja e së cilave sipas deklarimit vjen nga paga e tij. Në deklarim bëhet e ditur se në pozitën si Ministër, ai ka të ardhura vjetore në vlerë prej 19,468 euro. Ndërkaq mëditje gjatë vitit 2024, Sveçla mori 2,798 euro për udhëtim zyrtar jashtë vendit.
Si pasuri të luajtshme ai ka deklaruar një veturë të tipit “Hyundai” me vlerë prej 11,000 euro, e blerë me kredi dhe e njëjta është në pronësi të bashkëshortes.
Gjithashtu Sveçla ka marrë një kredi ndaj një banke në vlerë prej 19,500 euro, kurse vlera e mbetur aktuale e pagesës është 18,396 euro.