Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se në muajt e fundit Serbia ka forcuar dhe modernizuar ushtrinë. Në një intervistë të premten, ai ka thënë se njerëzit nuk e dinë se çfarë armë ka blerë Serbia në mënyrë të fshehtë.
Tek ka paralajmëruar “ndryshime të mëdha” në ushtri, Vuçiqi ka thënë se në shtator do të ketë paradë të madhe ushtarake. “Njerëzit do të shohin atë që shumë nuk e dinë se e kemi”, ka thënë ai në TV Prva. “E kemi mbajtur të fshehtë, e kemi ruajtur, dhe e kemi sjellë nëpërmjet të gjitha llojeve të kanaleve”.
Sipas tij, armatimin e fshehtë “e dinë më së shumti pesë persona”.
“Qytetarët e Serbisë do të jenë shumë krenarë për ushtrinë e tyre. Njerëzit do të shohin ndryshime të mëdha. Do të kemi shumë tipa dronësh për t’i shfaqur. Serbia do të jetë e pamposhtur dhe e pathyeshme”, ka thënë ai.
Vuçiq ka thënë se Serbia nuk e kërcënon askënd. Ka thënë se do të ishte marrëzi të nënvlerësohej aleanca ushtarake Prishtinë-Zagreb-Tiranë.