Në kuadër të shënimit të 26-vjetorit të Çlirimit të qytetit të Pejës, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Dega në Pejë ka shpallur një nismë për pastrimin dhe përgatitjen e listave të luftëtarëve të UÇK-së në territorin e komunës së Pejës.
Qëllimi i kësaj iniciative është ruajtja e dinjitetit të luftës çlirimtare, respektimi i kontributit të vërtetë të secilit luftëtar, si dhe ndarja me përgjegjësi e emrit të shenjtë të pjesëtarit të UÇK-së.
OVL e UÇK-së ka ftuar të gjithë bashkëluftëtarët, familjarët e dëshmorëve dhe të rënëve, si dhe strukturat lokale që të angazhohen në këtë proces me përgjegjësi dhe ndershmëri.
Nisma synon të kontribuojë në autenticitetin e historisë së luftës për liri dhe të garantojë përfaqësim të drejtë e të merituar të atyre që sakrifikuan për Kosovën.
“Lavdi e përjetshme Dëshmorëve të Kombit. Nderim të gjithë luftëtarëve të lirisë!”, thuhet në njoftimin e OVL UÇK-së, Dega në Pejë.