Sot është mbajtur Festivali i Teknologjisë – Tech Fest 2025, një ngjarje inspiruese në fushën e teknologjisë, inovacionit dhe edukimit digjital.
Ky festival është organizuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit në bashkëpunim me shkollën e gjuhëve të huaja “London School”, Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe partnerë të tjerë.
Të pranishëm në këtë festival ishin nënkryetari i komunës, z. Arian Tahiri, drejtoresha e DKA-së, znj. Drita Kadriu, rektorja e UMIB-it, znj. Nurten Deva, rektori i UBT-së, z. Edmond Hajrizi, drejtorë komunalë, asamblistë, folës nga fusha të ndryshme, të cilët ndanë përvojat dhe vizionet e tyre për të ardhmen e teknologjisë, karrierës dhe edukimit, 21 shkolla të qytetit me ekipe të nxënësve dhe mësimdhënësve të TIK-ut, prindër dhe biznese që promovuan mundësitë e punësimit.
Pjesë e veçantë e këtij festivali ishin ekspozitat e përgatitura nga nxënësit e shkollave të Mitrovicës, të cilët prezantuan projekte kreative në fushat e programimit, robotikës dhe inteligjencës artificiale. Kontributi i tyre reflektoi përkushtimin dhe talentin e rinisë në epokën digjitale. Të gjitha shkollat pjesëmarrëse, mësimdhënësit dhe nxënësit u nderuan me mirënjohje falënderimi për angazhimin dhe kontributin e tyre në realizimin e këtij festivali.
Në fjalën e tij përshëndetëse, nënkryetari z. Arian Tahiri vlerësoi rëndësinë e investimit në të rinjtë dhe fuqizimin e tyre përmes teknologjisë, duke theksuar se iniciativa të tilla janë jetike për zhvillimin e komunitetit dhe përgatitjen e brezave për tregun global të punës.
Ndërsa drejtoresha e DKA-së, znj. Drita Kadriu, u shpreh se ky festival është dëshmi e bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet institucioneve arsimore dhe atyre komunale, duke nxitur një ambient ku kreativiteti dhe inovacioni marrin jetë përmes duarve të nxënësve dhe përkushtimit të mësimdhënësve.
Tech Fest 2025 shënoi një hap të rëndësishëm drejt përparimit teknologjik në arsim dhe u përmbyll me entuziazëm, frymëzim dhe premtim për edicione të tjera edhe më gjithëpërfshirëse në të ardhmen.