Teologu shqiptar në Iran: Kishte informacion për sulmin, uraniumi u largua më herët

Publikuar më:

Teologu shqiptar që jeton në Iran, Eni Kokomani, ka thënë se autoritetet iraniane kanë pasur dijeni paraprake për sulmin e Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve bërthamore, dhe se materiali i ndjeshëm, përfshirë uraniumin e pasuruar, ishte zhvendosur në një vend të sigurt përpara ndërhyrjes ushtarake.

Sipas tij, ngjarjet e fundit po përshkallëzohen në një drejtim të rrezikshëm, dhe kërcënimi i liderit suprem të Iranit për “pasoja të përjetshme” mund të lidhet me një vendim potencialisht dramatik: mbylljen e Ngushticës së Hormuzit – një veprim që do të trondiste ekonominë globale dhe mund të çojë drejt një konflikti të përmasave botërore.

“Në Iran thuhet që para se të sulmonin amerikanët dhe izraelitët, çdo gjë është larguar, uraniumi i pasuruar është larguar në vend të sigurt. Banorët pranë bazës Fordow thonë që nuk kanë dëgjuar asnjë lloj zhurme ndaj nuk është e sigurt si ka ndodhur kjo ngjarje,” tha Kokomani në një intervistë për Euronews Albania

Ai shtoi se edhe pse SHBA ka kryer sulmin dhe ka shkelur sovranitetin e Iranit, mbetet e paqartë nëse qëllimi ishte të qetësohej Izraeli apo të hapej një mundësi për ndërprerje të konfliktit dhe rivendosje të paqes.

“Është e sigurt që SHBA ka shkelur territorin e Iranit dhe ka sulmuar, por a e ka bërë këtë për t’i mbyllur gojën Izraeli që ne ndërhymë, ndoshta bëhet për arsye që të mbyllet lufta dhe të çelet një dritare për paqen,” u shpreh ai.

Megjithatë, retorika iraniane mbetet e ashpër. Sipas Kokomanit, Teherani po paralajmëron zgjerim të konfliktit në të gjithë Lindjen e Mesme dhe shënjestrim të bazave amerikane në rajon.

“Irani e cilëson shkelje të sovranitetit dhe kërcënon se lufta do përhapet në të gjithë Lindjen e Mesme duke goditur bazat amerikane. Kërcënimi i liderit të Iranit për pasoja të përjetshme… ndoshta nëse mbyllet Ngushtica e Hormuzit do të ketë një ndikim të madh në Evropë, do rritet çmimi i naftës, do ketë trazira të mëdha në lindjen e mesme, kolaps total dhe mundësi për një luftë të tretë botërore,” tha tutje ai.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.