Një përpjekje për vjedhje ka ndodhur mesditën e së shtunës në qendrën tregtare Viva Fresh Store, pranë rrethit të njohur të KFC-së në Llapnasellë, ku një burrë ka tentuar të largohet me mall pa paguar, por është ndaluar në kohë nga sigurimi.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është raportuar më 31 maj 2025, rreth orës 12:30, kur E. K, 27-vjeçare dhe punonjëse në këtë lokal, ka alarmuar Policinë për një tentativë vjedhjeje.
I dyshuari, i identifikuar si A.M, 52-vjeçar me shtetësi amerikane, ka tentuar të marrë produkte nga dyqani dhe të largohet pa i paguar, por është kapur në flagrancë nga sigurimi fizik i qendrës dhe është ndaluar në vendin e ngjarjes.
Pas intervenimit të Policisë, i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor, ku ka pranuar fajësinë dhe ka dhënë deklaratë në prani të hetuesve. Edhe ankuesja është intervistuar në lidhje me incidentin.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Vjedhje e Rëndë në Tentativë” dhe ndalimin e të dyshuarit në mbajtje për 48 orë.
I dyshuari është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Podujevë, ndërkohë që hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.