Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Vushtrrisë, ku një person i panjohur ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një shtëpie në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”.
Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 22:55 të datës 21 qershor 2025, ankuesi ka raportuar se një person, i cili drejtonte një motoçikletë me katër rrota, ka shtënë disa herë me armë në drejtim të shtëpisë së tij dhe më pas është larguar në drejtim të panjohur, shkruan “Jepi zë”.
Fatmirësisht, nga ky incident nuk raportohet për persona të lënduar, por janë shkaktuar dëme materiale. Në vendin e ngjarjes, njësitet policore kanë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja dhe plumba të pashkrepur.
Menjëherë pas raportimit, Policia dhe Prokurori i rastit kanë dalë në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet. Nën udhëheqjen e Prokurorit, janë kryer bastisje në dy lokacione të ndryshme, ku si rezultat është arritur të sekuestrohet motoçikleta që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së veprës penale.
Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Vushtrri po vazhdojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personit të dyshuar. Policia fton qytetarët që kanë informacione lidhur me rastin, t’i raportojnë ato përmes kanaleve të zakonshme të kontaktit.