Stadiumi Adem Jashari do të duhej të përfundonte në qershor të këtij viti

Publikuar më:

Probleme pronësore, definimi i projektit ideor, mungesa e projektit kryesor, mungesa e lejes ndërtimore, zhvillimi i procedurave të prokurimit, vonesa në realizimin e punëve dhe dobësi në menaxhimin e kontratave janë gjetjet nga Zyra Kombëtare e Auditimit të perfomancës në raportin “Rinovimi dhe rikonfigurimi i stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë”. Projektet e rinovimit të stadiumeve ende larg përfundimit dhe kjo mund t’i kushtojë si Përfaqësueses së Kosovës ashtu edhe klubeve kosovare. Raporti i auditimit ka nxjerrë në pah dështimin e shtetit me stadiumet.

“Pavarësisht se kanë kaluar disa vjet (nga katër e deri në shtatë) që nga fillimi i procesit, stadiumet janë ende larg përfundimit dhe funksionalizimit. Kjo mungesë e progresit dhe moskompletimit të stadiumeve paraqetë rrezik për Kombëtaren e Kosovës dhe klubet sportive, pasi ato mund të detyrohen që ndeshjet ndërkombëtare t’i zhvillojnë në shtetet fqinje apo në rastin më të keq mund t’i humbin ndeshjet me rezultat zyrtar”, shkruan në përmbledhjen e përgjithshme të Raportit të Auditimit.

Në raportin e publikuar të martën është veçuar se probleme të theksuara janë shfaqur me projektet ideore për rinovimin e stadiumeve. Vlera e përgjithshme e kontratave që ka lidhur MKRS-ja me komunat për rinovimin e tri stadiumeve ka qenë 16.7 milionë euro. 12.5 milionë euro janë ndarë për stadiumin “Adem Jashari”, ndërsa rreth 4.2 milionë euro për fazën e parë për stadiumin e Gjilanit dhe Gjakovës. Vetëm 5.6 milionë euro janë shpenzuar.

Në fakt, rinovimi i stadiumit olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë është dashur të përfundojë këtë vit, saktësisht më 16 qershor, bazuar në anekskontratën e lidhur në mes të operatorit dhe financueses, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në shtator të vitit 2021. Por, kjo nuk ka ndodhur. Janë bërë fare pak punë që u ndërprenë shpejt dhe objekti është lënë si më keq. Kështu stadiumi ikonik buzë lumit Ibër në Mitrovicë është shndërruar në gërmadhë pas ndërprerjes së punëve.

Punimet ishin ndërprerë edhe për shkak të telasheve me pronën. Por pas vendimit të fundit do të vazhdohet me dëgjimin publik dhe konsultimin me pronarët e pronave që duhen shpronësuar për realizimin e projektit të rinovimit. Në vitin 2014 MKRS-ja i kishte investuar 740 mijë euro. Por shpejt stadiumi u dëmtua. Në vitin 2017 u investuan një milion e gjysmë, prej të cilave 700 mijë euro për reflektorë i ndau Federata e Futbollit e Kosovës, që stadiumi t’i plotësojë kriteret e kategorisë së dytë, përkatësisht që klubet kosovare t’i organizojnë ndeshjet për garat evropiane. Edhe ai rinovim shkoi dëm dhe askush nuk mori përgjegjësi.

“Duke qenë se MKRS-ja ende nuk ka arritur të përmbushë kërkesat për të aplikuar për leje ndërtimi, punët për rinovimin e stadiumit olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë nuk kanë filluar dhe vazhdojnë të mbesin peng i lejes ndërtimore. Përveç kësaj, për shkak të moszhvillimit të punimeve mirëmbajtja e tij për të mos degraduar mund të shkaktojë kosto shtesë”, shkruan në raport.

Në fakt, kostoja e projektit për rinovimin e stadiumit “Adem Jashari” shkon në rreth 16 milionë euro, prej 12.5 milionë eurosh për sa ishte nënshkruar në vitin 2019.

Prej buxhetit të shtetit së fundi janë ndarë 3.2 milionë euro/ Koha net

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.