Sot përpjekja e 23-të për konstituimin e Kuvendit

Publikuar më:

Deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 9 shkurtit do të mblidhen sërish sot në Kuvendin e Kosovës, në përpjekjen e 23-të me radhë për ta konstituar Legjislaturën e Nëntë.

Seanca është caktuar të vazhdojë nga ora 11:00.

Edhe përpjekja e fundit për konstituim, e mbajtur të martën, ka dështuar, pasi Kuvendi nuk arriti ta formojë as komisionin për votim të fshehtë – hap ky i domosdoshëm për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Në votimin e së martës morën pjesë vetëm 55 deputetë – 54 prej tyre votuan pro, një ishte kundër dhe nuk pati asnjë abstenim. Pjesa tjetër e deputetëve nuk mori pjesë fare në votim, duke bërë që të mungojë kuorumi i nevojshëm. Si pasojë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi ndërprerjen e saj, duke paralajmëruar se do të vazhdojë të enjten në të njëjtën orë.

Në përpjekje për ta zhbllokuar situatën, deputetja Albulena Haxhiu – e cila është kandidate e Vetëvendosjes për postin e kryeparlamentares – u bëri thirrje kolegëve të saj që të mundësojnë votimin e komisionit për votim të fshehtë.

“Pavarësisht qëndrimeve personale dhe asaj çfarë ka ndodhur në të kaluarën, ne jemi shumë të hapur të bashkëpunojmë me subjektet politike, por asnjëherë nuk do t’i pranojmë kërkesat e tyre të paarsyeshme, të pajustifikueshme, të cilat nuk përkojnë as me Kushtetutën e as me aktgjykimin e Kushtetueses”, deklaroi Haxhiu, e cila aktualisht është ministre në detyrë e Drejtësisë.

Pavarësisht apeleve për bashkëpunim dhe hapje politike, Kuvendi po vazhdon të mbetet i paralizuar për më shumë se tre muaj pas zgjedhjeve – dhe e gjithë vëmendja tashmë është te dita e nesërme, për të parë nëse legjislatura do të marrë më në fund formë institucionale.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.