Valmire Sylejmani, një prind dhe qytetare e angazhuar nga Mitrovica, ka reaguar ashpër ndaj një rasti të prezantimit të një “psikologe klinike” të paautorizuar nga një klinikë private në qytet.
Sipas saj, kjo klinikë kishte tentuar të përfshihej në vlerësime të fëmijëve dhe ligjërata për stafin e një çerdhe shtetërore, duke u prezantuar me staf joprofesional dhe me tituj të rrejshëm. Pas reagimeve publike, kjo nismë ishte anuluar, mirëpo klinika kishte vazhduar aktivitetin duke u përpjekur të fshihej pas të ashtuquajturve “profesionistë”.
Sylejmani ka mirëpritur veprimin e Ministrisë për mbylljen e përkohshme të klinikës, duke e konsideruar një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit mendor të fëmijëve. Ajo ka ngritur shqetësimin se individë pa përgatitje të duhur profesionale, përfshirë studentë apo persona me vetëm diplomë Bachelor, po mbajnë terapi që prindërit i paguajnë si shërbime profesionale.
“Duhet më shumë inspektime dhe ndëshkime për të ndalur këto mashtrime të rrezikshme,” theksoi ajo, duke apeluar për më shumë transparencë dhe përgjegjësi në ofrimin e shërbimeve psikologjike për fëmijët.