Skandali me importin e kafshëve: “NTP Nushi” “zhduku” qindra kafshë të destinuara për therje, AUV’i i ministrisë së Pecit ia riktheu licencën

Publikuar më:

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në prill të këtij viti mori vendim që t’ua pezullonte licencat për importimin e kafshëve të gjalla 28 operatorëve ekonomikë. Në mesin e tyre ishte edhe “NTP Nushi”, pronar i së cilës është Mirset Ajeti.

Inspektorati veterinar ka konstatuar se nga tetori deri në dhjetor të vitit të kaluar dhe nga janari në mars të këtij viti, “NTP Nushi” ka importuar përafro 700 kafshë të gjalla.

Në sistemin shtetëror të përcaktuar për monitorim me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik nga ana e AUV’it, “NTP Nushi” i kishte raportuar vetëm tetë për therje.

Ndërkaq, ligji i obligon që kafshët të theren brenda 72 orëve pasi që ato të importohen.

“Në bazë të dhënave dhe kontratës në mes të subjektit importues të kafshëve të gjalla NTP NUSHI dhe subjektit të thertores “Loma Famyli SHPK, në ketë thertore nuk janë therrur asnjë krerë nga kafshët e importuara. Në stallën e pronarit janë konstatuar se janë vetëm 5 krerë kafshe te gjalla te importuara.

Vlen te ceket se gjate periudhës kohore Tetor -Dhjetor 2024 subjekti ka importuar gjithsejtë 537 gjedhe për therje ku nga ky numër te pa raportuara janë 534 gjedhe ku dhe është iniciuar procedura për kundërvajtje me datën 23.01.2025”, thuhet në arsyetimin e vendimit të AUV’it, të cilin e ka parë Gazeta Insajderi.

Një komision i veçantë i themeluar nga AUV-i ka filluar t’i shqyrtojë ankesat e operatorëve ekonomikë. “NTP Nushi” disa ditë pas vendimit ka dërguar një deklaratë nën betim dhe një ankesë.

Në ankesë është pretenduar se AUV-i ka bërë shkelje esenciale të dispozitave ligjore të procedurës së kundërvajtjes dhe “vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike”.

Pas shqyrtimit të ankesës, AUV-i ia ka rikthyer licencën dhe ia ka lejuar importin të njëjtit operator ekonomik.

Pra, ka mjaftuar një deklaratë nën betim dhe një arsyetim për AUV-in që kësaj kompanive dhe disa të tjerave t’u rikthehet licenca për import të kafshëve të gjalla.

“Komision i veçantë për shqyrtimin e ankesave ka shqyrtuar secilën ankesë dhe pretendim të palëve. Të gjendur përball situatës ku secili operator në ankesë ka paraqitur lutjen për të pasur një mundësi shtesë, ku kanë dhënë deklarata nën betim për përmbushje të të gjitha kritereve ligjore sipas afateve kohore të përcaktuara me ligj. Komisioni ka vendosur qe të heq pezullimet, duke i njoftuar qe forcërisht, në secilën shkelje vijuese do të kenë revokim dhe inicim procedure në organet e drejtësisë. Pas nënshkrimit të deklaratave me të cilën palët kanë pranuar kushtet dhe janë zotuar për zbatim. Një numëri të operatoreve u është rikthyer e drejta e importit nëpërmjet platformës FCMS”, ka thënë ndër të tjera zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, në një përgjigje për Insajderin.

Për ironi të çështjes, AUV thotë se “kontrolli i importit të kafshëve, kontrolli i therjeve paraqesin një nga fushat me të ndjeshme në parandalim të përhapjes se sëmundjeve infektive, njëkohësisht me ndikim të lartë në sigurinë e ushqimit“.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ishte lavdëruar lidhur me vendimin e AUV’it për pezullimin e licencave, ku pretendonte se janë bërë qindra miliona euro dëme buxhetit të Kosovës.

“Prokuroria posedon faktet edhe për falsifikim të dokumentacioneve nga operatorë të caktuar ekonomikë“, thuhej ndër të tjera në shkrimin e Pecit.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.