S’ka festë të Vidovdanit me flamuj e simbole serbe në Kosovë

Publikuar më:

Monumenti i Gazimestanit, rreth 10 kilometra larg Prishtinës, çdo 28 qershor bëhet vendi më i frekuentuar nga serbët e Kosovës, të cilët shënojnë festën e Vidovdanit, si përkujtim të vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë në vitin 1389.

Më 10 qershor të vitit të kaluar, Komuna e Graçanicës kishte marrë vendim që kjo festë të shënohet dhe festohet me simbole dhe flamuj të shtetit serb, të cilin e kishte dorëzuar në Ministri të Administrimit të Pushtetit Lokal për vlerësim të ligjshmërisë.

Dy ditë më vonë, më 12 qershor, MAPL e kishte përcjellë këtë kërkesë në Ministri të Punëve të Brendshme për vlerësim të ligjshmërisë.

MPB pas vlerësimit të aktit me datë 24.06.2024 ka kthyer përgjigjen në Komunë dhe në MAPL, duke thënë se “28 Qershori (Vidovdani) nuk është e përcaktuar si festë zyrtare apo memoriale në Republikën e Kosovës”, duke vënë në dyshim ligjshmërinë e këtij vendimi komunal:

“Kuvendi i Komunës së Graçanicës, nuk e kishte rishqyrtuar vendimin dhe nuk kishte vepruar sipas kërkesës së MPB-së”.

Kështu, më 31 korrik të 2024-tës, MAPL ka paditur Komunën e Graçanicës duke kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Administrativ, që të anulojë vendimin e komunës në fjalë.

Kësaj gjykate iu deshën 11 muaj që të marrë vendim për këtë rast.

Në aktvendimin e nxjerrë më 9 qershor të këtij viti, të cilin e ka siguruar Klan Kosova, gjyqtari i cili trajtoi këtë rast, Kreshnik Kaçiu, ka marrë vendim që të aprovojë në tërësi padinë e MAPL-së dhe të anulojë vendimin e Komunës së Graçanicës, duke shtuar se “ky Aktgjykim e zëvendëson aktin e anuluar dhe ka karakter detyrues”.

Në arsyetim, Gjykata ka thënë se sipas Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës, “vetëm Qeveria në bashkëpunim me Presidentin e Republikës së Kosovës mund të përcaktojë ditët memoriale nga të cilat dy ditë në konsultim me komunitetin serb. Komunat nuk kanë kompetencë të shpallin ditë feste të veçanta me ndikim publik, që përfshijnë përdorimin e simboleve shtetërore apo kombëtare në hapësirat publike”.

Vendimin e komunës së Graçanicës për dhënie të pëlqimit për shfaqjen e flamurit të një shteti tjetër me rastin e një feste që nuk njihet si festë zyrtare nga institucionet e Republikës së Kosovës, Gjykata e cilëson “tejkalim të kompetencave të përcaktuara me ligj”.

Ky vendim, sipas interpretimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka cenuar rëndë karakterin unitar dhe kushtetues të Republikës së Kosovës.

“Sipas nenit 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kosova është një shtet unik dhe i pandashëm, dhe autoritetet komunale nuk mund të ndërmarrin veprime që e relativizojnë këtë parim. Lejimi i flamurit të një shteti tjetër (Serbisë), jashtë rasteve të parapara me ligj, mund të perceptohet si akt simbolik i sovranitetit të dyfishtë apo vetëorganizimit politik në kundërshtim me rendin kushtetues”, thuhet më tej në arsyetimin e aktvendimit të kësaj gjykate të cilin e ka siguruar Klan Kosova.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e ndjeshmërisë etnike dhe politike në Kosovë. Çdo lejim i tillë pa bazë ligjore mund të krijojë precedent të rrezikshëm për minimin e rendit juridik dhe unitetit shtetëror”.

Gjykata vlerësoi se vendimi i Komunës së Graçanicës rrezikon seriozisht rendin publik dhe bashkëjetesën ndërkomunitare.

“Vendimi në fjalë mund të provokojë tensione ndëretnike, veçanërisht nëse perceptohet se autoritetet komunale po favorizojnë një komunitet në kundërshtim me rendin ligjor dhe ndjenjat e komuniteteve të tjera. Ky rrezik për rendin publik është edhe më i lartë në kontekstin kur simboli i një shteti tjetër shfaqet në mënyrë të organizuar nga një autoritet publik komunal, pa pëlqimin ose autorizimin e institucioneve qendrore”, thuhet në arsyetimin e Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Më tej, gjykata ka hedhur poshtë pretendimet e Komunës së Graçanicës se “ky vendim sipas tyre nuk ka një efekt juridik formal të zgjatur ose të përhershëm por është qartësisht i kufizuar me datën 28.06.2024”.

Në këtë drejtim, gjykata konstatoi se karakteri përkohshëm nuk e amniston kundërligjshmërinë.

“Kundërligjshmëria e një akti administrativ vlerësohet në përputhje me përputhshmërinë me ligjin në momentin kur ai prodhon efekt, jo në bazë të kohëzgjatjes së efektit”, ka vlerësuar gjykatësi Kaçiu në aktvendimin e nxjerrë për këtë rast.

Me këtë Aktgjykim, gjykata synon jo vetëm konstatimin e paligjshmërisë në rastin konkret, por gjithashtu edhe sigurimin e koherencës së rendit juridik dhe parandalimin e shkeljeve të ngjashme në të ardhmen.

Prandaj thotë se ky Aktgjykim reflekton nevojën që i njëjti të shërbejë si model për veprimet jo vetëm për të paditurën por edhe për të gjitha komunat tjera në të ardhmen, duke riafirmuar se Komunat nuk kanë të drejtë të ndërmarrin veprime që cenojnë kompetencat e pushtetit qendror, nuk mund të legalizojnë shfaqjen publike të simboleve të shteteve të huaja përmes vendimeve të tyre të pavarura, në kundërshtim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ligjet përkatëse dhe duhet të respektojnë hierarkinë e akteve dhe vendimeve të organeve qendrore të Republikës së Kosovës. /Klankosova.tv

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.