I dyshuari, i cili tashmë lidhet me disa vepra penale, ishte shoqëruar në Stacionin Policor në jug të Mitrovicës për intervistim.
Burime të Gazetës Sinjali konfirmojnë se bëhet fjalë për Riad Tahirin, 25-vjeçar, i cili po intervistohej në Stacionin Policor të Mitrovicës së Jugut për rastin e armëmbajtjes pa leje.
Me të mbërritur, një hetues policor kërkoi një zyrë të lirë për ta intervistuar, mirëpo zyrat ishin të zëna. Njëra prej tyre përdorej nga një zyrtare policore, e cila pranoi ta lirojë hapësirën përkohësisht për nevojat e hetuesit.
Neglizhenca vendimtare ndodhi në këtë moment: zyrtarja e la në zyrë çantën personale – brenda së cilës ndodhej edhe arma e saj zyrtare.
Hetuesi, ndërkohë që po përgatitej për intervistimin, lëvizi për pak momente në zyre të tjera, duke e lënë të dyshuarin vetëm në zyrën ku ndodhej çanta me armën. Pikërisht në këtë hapësirë kohore dhe me mungesë totale të mbikëqyrjes, i dyshuari e hapi çantën, e mori revolen dhe e fshehu në trup.
Akti i vjedhjes nuk u vërejt menjëherë.
I dyshuari, pa ngjallur dyshime, u transferua me përcjellje policore në stacionin në veri të Mitrovicës, ku pritej ndalimi i tij. Aty, gjatë procedurave të kontrollit trupor, zyrtarët zbuluan se mbante armë.
Vetëm pas verifikimeve u konstatua se revolja ishte ajo e zyrtares që e kishte lënë në çantë në zyrën e jugut.
Skandali është i shumëfishtë: një i dyshuar për vepra penale mbetet i paambikëqyrur, i jepet qasje në një hapësirë ku ndodhet armë zyrtare, e merr atë, e fsheh në trup dhe shoqërohet nga policia me armë të vjedhur deri në një stacion tjetër – pa u vërejtur asgjë në kohë reale.
Ky rast, përveçse është skandaloz në vetvete, ngre pikëpyetje serioze për protokollet e sigurisë, përgjegjësinë individuale të zyrtarëve dhe nevojën emergjente për auditim të praktikave brenda strukturave të rendit.