Një vizitë e zakonshme familjare në Kosovë është shndërruar në ankth për ish-policin e Kosovës, Arbnor Spahiu.
Ai është ndaluar nga autoritetet serbe teksa udhëtonte me autobus përmes territorit të Serbisë drejt Kosovës.
Gjatë gjithë ditës së djeshme Spahiu është marrë në pyetje nga prokurorët serbë, të cilit më pas i është caktuar edhe masa e paraburgimit prej një muaji.
Për këtë ndalim ka reaguar edhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla. Ajo ka thënë se institucionet e Kosovës kanë njoftuar misionet ndërkombëtare, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, duke kërkuar mbështetjen e tyre për këtë rast.
Ministrja gjithashtu ka bërë thirrje për kujdes të shtuar për të gjithë qytetarët e Kosovës që planifikojnë të kalojnë përmes Serbisë, veçanërisht gjatë muajve të verës kur fluksi i udhëtimeve rritet.
“Më lejoni të bëj edhe një herë thirrje për një kujdes të veçantë për të gjithë ata që, tani që po afrohet vera, kalojnë nga Serbia, për shkak se rastet e ndalesave arbitrare dhe të paarsyeshme janë shtuar gjatë muajve dhe viteve të fundit”, deklaroi Gërvalla.
Raste të tilla nuk janë të izoluara. Pak ditë më parë, autoritetet serbe ndaluan edhe ish-deputetin Gramos Agusholli, i cili u mor në pyetje për orë të tëra para se të lirohej në mbrëmje.
Serbia në mënyrë të përsëritur ka arrestuar qytetarë të Kosovës gjatë viteve të fundit, përfshirë ish-pjesëtarë të UÇK-së, të cilët Beogradi i akuzon për përfshirje në krime lufte.