Shoqëria civile kërkon zgjidhje të menjëhershme për krizën institucionale

Publikuar më:

📣 𝐒𝐡𝐨𝐪𝐞̈𝐫𝐢𝐚 𝐜𝐢𝐯𝐢𝐥𝐞 𝐤𝐞̈𝐫𝐤𝐨𝐧 𝐳𝐠𝐣𝐢𝐝𝐡𝐣𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐦𝐞𝐧𝐣𝐞̈𝐡𝐞𝐫𝐬𝐡𝐦𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐤𝐫𝐢𝐳𝐞̈𝐧 𝐢𝐧𝐬𝐭𝐢𝐭𝐮𝐜𝐢𝐨𝐧𝐚𝐥𝐞

Sot, para Kuvendit të Republikës së Kosovës, organizatat e shoqërisë civile kanë realizuar një aksion protestues, për të ngritur zërin kundër bllokadës së pajustifikueshme që po vazhdon në përbërjen e re të legjislativit të vendit.

120 karrige të zbrazëta janë vendosur përballë hyrjes së Kuvendit – një për secilin deputet që, për më shumë se tre muaj, ka dështuar të përmbushë detyrimin më bazik të mandatit të tij, atë të përfaqësimit të qytetarëve përmes një Kuvendi funksional, përfaqësues dhe llogaridhënës. Karriget përfaqësojnë po ashtu boshllëkun institucional, mungesën e vullnetit politik dhe krizën e përfaqësimit që po e paralizon shtetin.

Çdo karrige mbante një mesazh të drejtpërdrejtë, duke reflektuar situatën aktuale, si dhe duke bërë thirrje për përgjegjësi, reflektim, bashkëpunim politik dhe veprim të menjëhershëm. Këto mesazhe janë zëri i qytetarëve, i shoqërisë civile, dhe i një publiku që nuk pranon më as heshtjen, as bllokadën, por kërkon rikthimin e funksionimit demokratik të institucioneve. Orët e vendosura përreth dhe zhurmat e tyre, simbolizojnë alarmin që duhet të zgjojë ndërgjegjen politike të të gjithë deputetëve dhe drejtuesve të partive, që po e mbajnë peng Kuvendin e Kosovës.

Ky aksion është vazhdimësi e reagimit tonë të mëparshëm, duke theksuar se kriza ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm. Kuvendi jofunksional nuk është vetëm një problem procedural apo moment i zakonshëm tranzicioni – por pasqyron një krizë të thellë politike që po rrezikon funksionimin demokratik të shtetit, kontrollin parlamentar mbi qeverinë, miratimin e politikave zhvillimore dhe besimin qytetar në institucionet e zgjedhura. Në kohën kur vendi përballet me zhvillime të ndjeshme gjeopolitike, izolim financiar nga partnerët ndërkombëtarë dhe stagnim të proceseve zhvillimore, mosfunksionalizimi i Kuvendit është papërgjegjësi politike me pasoja të rënda.

Ne ritheksojmë thirrjen tonë ndaj udhëheqësve të partive parlamentare që të marrin përgjegjësinë e tyre institucionale dhe të gjejnë urgjentisht një zgjidhje për tejkalimin e kësaj bllokade. Dialogu, kompromisi dhe përqendrimi në interesin publik duhet të vendosen mbi çdo agjendë tjetër.

Shoqëria civile nuk do të qëndrojë indiferente përballë kësaj situate. Ne do të vazhdojmë të bëjmë presion të vazhdueshëm dhe të kërkojmë llogari, derisa Kuvendi i Republikës së Kosovës të bëhet funksional.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.