Shemsi Bahtiri që u suspendua nga VV pasi u kap me drogë, zhduk postimet me Kurtin dhe Sveçlën
Shemsi Bahtiri, pjesë e strukturave të Lëvizjes Vetëvendosje dhe i afërt me deputetët e VV-së, Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla ka zhdukur nga profili i tij në Facebook të gjitha fotografitë ku shfaqej përkrah figurave kyçe të kësaj force politike.
Fshirja e fotografive dhe postimeve erdhi disa orë pas një operacioni të gjerë antidrogë të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale dhe INTERPOL-in, që rezultoi me arrestimin e 22 personave nën dyshimet për përfshirje në trafikim me narkotikë.
Mes të arrestuarve ishte edhe vetë Bahtiri, i cili kishte fotografi përkrah kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe ministrit në detyrë, Xhelal Sveçla.
Përkundër fotografive dhe lidhjeve të qarta me krerët e kësaj partie, Lëvizja Vetëvendosje u distancua dje nga ai.
Por, sot Lëvizja Vetëvendosje tha se njëri prej të arrestuarve në aksionin e së martës policor është anëtar i këtij subjekti politik, duke shtuar se është marrë vendim që i njëjti të përjashtohet.
Operacioni antidrogë i Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, i koduar me emrin intrigues “Qielli i Thyer”, kishte si objektiv një rrjet të mirëstrukturuar kriminal, të dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.