Veton Surroi rrëfeu se kishte mbajtur burg në vitin 1991 pas organizimit të një proteste paqësore në Prishtinë gjatë procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Në podcastin e tij të emërtuar “Pikë”, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarin gjerman të Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, Surroi foli për rolin e tij në pozicionin e shqiptarëve të Kosovës gjatë këtij procesi dhe tha se në vitin 1991 kishte “mbajtur burg”.
“[Në vitin 1991] ne mbajtëm referendumin për pavarësi. Një ngjarje shumë e rëndësishme ishte marrja e ushtarëve tanë nga Kroacia dhe Sllovenia. Pra, isha i përfshirë drejtpërdrejt”, tha ai, pastaj vazhdoi: “Shkova në burg sepse organizova një protesë paqësore në qershor të atij viti”.
“Sa gjatë”, e pyeti Martens.
“Oh, i kalova 48 orë”, u përgjigj Surroi.
Gjatë bisedës me Martensin, Surroi rrëfeu edhe për takimin e partive politike shqiptare në ish-Jugosllavi, i zhvilluar më 19 dhe 20 janar të vitit 1991 në Stubiçke Toplice të Kroacisë.
Takimi ishte mbajtur nën emrin “Fronti i Jugut” dhe aty përfaqësuesit politik të shqiptarëve në ish-Jugosllavi kishin diskutuar për synimet e lëvizjes shqiptare gjatë një procesi historik të zhvillimeve politike dhe ushtarake në ish-Jugosllavi, që çoi në shpërbërjen e federatës jugosllave