Në një intervistë të gjatë në emisionin “Pressing” në T7, gjenerali i Ushtrisë Shqiptare, Kudusi Lama, ka folur për disa nga momentet kyçe që lidhen me përgatitjet ushtarake të Shqipërisë në vitet ’90, kontaktet e para me përfaqësues të UÇK-së, strukturën udhëheqëse të saj, si dhe për disa figura të njohura të luftës në Kosovë. Lama dha detaje për forcat e armatosura shqiptare, rolin e Azem Sylës dhe Xhavit Halitit në UÇK, si dhe sqaroi pozicionin dhe praninë ose mungesën e disa emrave të tjerë të përmendur shpesh në kontekstin e luftës.
Gjenerali i Ushtrisë Shqiptare, Kudusi Lama ka dhënë detaje të rëndësishme rreth kapaciteteve ushtarake të Shqipërisë në vitet ’90, kontakteve të para me përfaqësues të UÇK-së, strukturës udhëheqëse të saj dhe për disa figura kyçe të luftës në Kosovë.
Ai tha se Shqipëria kishte një forcë të madhe të armatosur, e gatshme për përballje.
“Shqipëria kishe një forcë të armatosur, kishe rreth 1 milion ushtarë. 750 mijë ishin të rreshtuar në struktura. Kjo nuk është një forcë e vogël. Kishte një vendosmëri absolute për të vdekur për atdheun. Nëse do të merrej një urdhër i tillë, asnjë shqiptar nuk do të përtonte të shkonte në front.”
Ai foli edhe për momentin kur mësoi për vrasjen e Luan Haradinajt dhe takimin me Xhavit Halitin.
“Më tha ka ardhë një kosovar, dëshiron të takojë. Dola në orën 18:00 në Kukës. Ky ka qenë takimi im i parë me Xhavit Halitin. Unë s’e njiha, u njohëm aty për herë të parë, më 7 maj 1997, atë ditë që është varrosur Luan Haradinaj. Ka marrë pjesë në varrimin e Luanit, ishte kthyer në Kukës dhe ndërkohë ka kërkuar që të takohet me mua për të biseduar. Ky ishte takimi i parë dhe pastaj u bëmë shumë miq me Xhavitin.”
Sa i përket organizimit të UÇK-së, gjenerali Lama theksoi se ajo ka pasur vetëm një komandant të përgjithshëm dhe një udhëheqje të qartë.
“UÇK-ja ka pasur një komandant të përgjithshëm që ka qenë Azem Syla, kaq, gjithë kohën ka qenë komandant deri në Rambuje.”
“Komandanti i Përgjithshëm deri në Rambuje ka qenë Azem Syla, e kanë vënë, nuk e ka vënë veten. Udhëheqës politik i UÇK-së ka qenë Xhavit Haliti, e kanë vënë. Në Rambuje u bë Sylejman Selimi, u bë Hashim Thaçi udhëheqës i delegacionit, më i madhi prej të gjithëve.”
“Thonë gazetarët, kam këtu komandantin fistan-fistekun, janë bërë kaq komandanta dhe ju po i fryeni më shumë. Të vërtetë dihen kush janë, mund të jenë të gjithë të vërtetë, por janë të vërtetë për funksionet që kanë bërë.”
Lama komentoi edhe për figurën e Tahir Zemajt, për të cilin tha se nuk ishte i pranishëm në betejën e Koshares.
“Kush ka dasht me shku në front, ka shku, nuk i ka pengu kërkush… Tahir Zemaj ka ikur nga Rrafshi i Dukagjinit, nuk e ka përzënë njeri. Nuk e kam takuar kurrë Tahir Zemajn.”
“Nuk ka qenë prezent në luftën e Koshares, nuk ishte aty.”