Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, është hedhur një vështrim mbi zhvillimet demografike dhe arsimore në Kosovë, nga viti 2008 – kur u shpall pavarësia – e deri më 2024.
Të dhënat zyrtare të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë për një rënie të ndjeshme të numrit të nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët. Në vitin shkollor 2007/08, nëpër shkollat e vendit ishin të regjistruar gjithsej 325,544 nxënës, ndërsa në vitin shkollor 2023/24 ky numër ka rënë në 215,431.
Kjo do të thotë se brenda një periudhe 16-vjeçare, numri i nxënësve është zvogëluar për 110,113.
Për ta kuptuar më mirë këtë ndryshim, janë analizuar edhe të dhënat mbi lindshmërinë gjatë së njëjtës periudhë. Sipas ASK-së, nga viti 2008 deri në vitin 2024 janë regjistruar gjithsej 526,213 lindje në Kosovë.