Rangimi ndërkombëtar i UP-së nuk ka asnjë lidhje me politikat qeveritare

Publikuar më:

Reagimi i plotë:

RANGIMI NDËRKOMBËTAR I UP-së NUK KA ASNJË LIDHJE ME POLITIKAT QEVERITARE

ORCA dënon tentimin e Qeverisë dhe zyrtarëve të saj, madje edhe të Partisë VETËVENDOSJE! të cilat po mundohen ta përvetësojnë suksesin relativ të rangimit në Times Higher Education të Universitetit të Prishtinës dhe Fakultetit të tij të Edukimit. Për më tepër ORCA është e tronditur nga keqinformimi i publikut në disa drejtime. Rangimi nuk është siç po portretohet nga vet Universiteti, drejtuesit e tij, drejtuesit qeveritarë dhe partiakë të partisë në pushtet, një ngritje e jashtëzakonshme, por një sukses relativ i gjithë shoqërisë kosovare në këtë drejtim.

Për informimin e publikut, UP është renditur në grupin e universiteteve nga vendi 1500 deri në 2092 dhe në këtë grup ka qenë që nga futja e Universitetit në listën ranguese. Pra, nuk ka pasë asnjë ngritje në rangim siç po proklamohet rrejshëm nga të gjitha palët e përmendura. Megjithatë, futja në këtë ranglistë në grupin e fundit ku bëjnë pjesë 592 institucione të arsimit të lartë nga e gjithë bota, është një sukses pasë parasysh që në botë ekzistojnë rreth 25 mijë institucione të arsimit të lartë por vetëm 2092 rangohen nga Times Higher Education.

Ndërsa, Fakulteti i Edukimit në kuadër të UP-së është renditur në grupin e fakulteteve që zënë vendet nga 601 deri në 767, pra bën pjesë në 167 fakultetet e fundit të ranglistës së fakulteteve të edukimit. As Fakulteti i Edukimit i UP-së nuk ka pasë rritje në rangim, por këtë vit është futur në listën e rangimit për herë të parë. Megjithatë, vet futja në rangim këtë vit është një lajm i mirë.
Pavarësisht që nuk ka pasur lëvizje në grupet e listës ranguese, përmirësimet vërehen te cilësia e hulumtimit, pra që ka të bëjë me punimet shkencore ku Universiteti i Prishtinës ka 22.8 pikë në vitin 2025, për dallim me 13.7 sa kishte më 2024, nga 100 pikë sa mund të merren në total. Ndërkaq, Fakulteti i Edukimit në vitin 2025 kur edhe është futur për herë të parë në listë ka 46.1 pikë nga 100 sa mund t’i marrë në total.

Për të dy rastet, ORCA si organizatë monitoruese e gjithë Arsimit të Lartë në Kosovë që nga viti 2016, nuk arrin të identifikojë asnjë nga politikat e qeverisë aktuale si shkaktare të këtyre përmirësimeve të cilat po proklamohen si suksese dhe si suksese të lidhura me politikat qeveritare. Rangimi në kllasteret e fundit të Universitetit të Prishtinës dhe Fakultetit të tij të Edukimit në Times Higher Education, si dhe përmirësimet relative në pikë në cilësinë e hulumtimit, janë rezultat i avancimit të rregullativës që nga viti 2018 me udhëzimin e parë administrativ që rregulloi çështjen e publikimit shkencor në Kosovë të vendosur nga ish ministri Shyqiri Bytyqi. Kjo ka vazhduar me ndryshime përmbajtjesore të rregulloreve për avancime akademike në UP të cilat kanë shtrënguar kriteret për publikim shkencor ndër vite. Me përjashtim të udhëzimit administrativ të nënshkruar nga ish ministri Bytyqi, i cili ka nevojë të ndryshohet, asnjë politikë tjetër qeveritare nuk lidhet me sukseset në rangim të cilitdo universitet në Kosovë.

ORCA është e zhgënjyer me tentimin për keqinformim të publikut nga vet Universiteti i Prishtinës dhe me heshtjen e Universitetit të Prishtinës përballë këtyre përvetësimeve të cilat kulmuan me një komunikatë nga Partia VETËVENDOSJE!. Është detyrë e Universitetit të Prishtinës t’i mbrojë sukseset e veta sado të vogla të jenë ato dhe veten nga ndërhyrjet politike siç e ka traditë që nga viti 1989 kur universiteti aktivisht e ka kundërshtuar regjimin e Millosheviqit. Heshtja dhe subordinimi ndaj politikës janë të turpshme për një universitet me histori të tillë dhe ORCA bën thirrje për reflektim në këtë drejtim.

Për më tepër, ORCA tërheq vërejtjen se me miratimin e rregulloreve ilegale nga Senati, në të cilat relativizohet autorësia dhe definimi i punimeve shkencore, në shpërputhje flagrante me Statutin e ri, rrezikohet që në një të ardhme të afërt të komprometohet cilësia e brishtë akademike e Universitetit të Prishtinës. ORCA u bën thirrje institucioneve drejtuese që të kenë vëmendje të shtuar ndaj këtyre veprimeve ilegale të Senatit dhe ta detyrojnë atë t’i harmonizojë të gjitha rregulloret me Statutin e miratuar në Kuvendin e Republikës.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.