Qeveria e re gjermane: Kosova me rëndësi jetike për Gjermaninë dhe NATO-n

Publikuar më:

Veç dy javë pasi që u bë kancelar i Gjermanisë, Friedrich Merz dhe qeveria e tij morën një vendim që lidhet direkt me Kosovën.

Ekzekutivi në Berlin zgjati pjesëmarrjen e Ushtrisë Gjermane në kuadër të misionit paqeruajtës së NATO-s në Kosovë, që vepron këtu tash e 26 vjet.

Qysh nga çlirimi i vendit dhe tërheqja e forcave serbe më 14 qershor 1999, KFOR-i mban mandat paqeruajtës dhe tani është përgjegjësi i tretë për siguri.

Zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, për Klan Kosova ka thënë se një Kosovë stabile dhe paqësore është prej rëndësisë thelbësore për Gjermaninë, NATO-n dhe gjithë Evropën.

“Edhe këtu kontributi gjerman mbetet i pandryshuar; Si me personelin që e kemi në bazën e KFOR-it, është një element i përkrahjes kombëtare- ku është një kompani në mision si dhe me postin e drejtorit në ekipin e ndërlidhjes dhe Këshillimit të NATO-s”, tha Kornelius për Info Magazine në Klan Kosova.

Vendimi i qeverisë tani duhet të miratohet nga Parlamenti gjerman, Bundestag, kurse për peshën historike që e ka pjesëmarrja gjermane në KFOR, zëdhënësi dha fakte të forta.

“Nga viti 1999, Ushtria jonë Bundeswehr, është e përfshirë në mënyrë aktive në misionin e KFOR-it, për stabilizimin edhe sigurimin e paqes në Kosovë. Situata e sigurisë në veri të Kosovës, pavarësisht tensioneve të vazhdueshme politike, së fundmi është stabilizuar. Momentalisht janë të mundura përkeqësime afatshkurtra. Prandaj është me rëndësi që KFOR-i tutje të kontribuojë në përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë e Ballkan Perëndimor”, u shpreh ai.

Pos në perëndim të Ballkanit, republika gjermane po merr rol kyç ushtarakisht edhe në pjesë tjera të Evropës.

Këtë javë kancelari Merz, bashkë me ministrin e mbrojtjes Boris Pistorius, qëndruan në Lituani, ku në kufijtë e këtij shtetit me Rusinë e Bjellorusinë, do vendosen 5000 ushtarë gjermanë.

Kjo do të jetë, siç thanë zyrtarët më të lartë të Gjermanisë, pas Kosovës, dislokimi i dytë i madh i trupave të këtij vendi në një shtet tjetër, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

E me vendosjen e kësaj brigade në krahun Lindor të NATO-s, sipas tyre mbrohet çdo pëllëmbë e tokës së Aleancës.

Vetë Merz, tha se ka marrë fund koha kur dikush në Gjermani kishte iluzione për regjimin e Vladimir Putinit, i cili tash e tre vjet po e sulmon fqinjin, Ukrainën.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.