Një pronar i një marketi prej 170 metrash katrorë ka ngritur shqetësimin për çmimin e lartë të energjisë elektrike, duke deklaruar se këtë muaj fatura i ka arritur në plot 715 euro. Ai thekson se vetëm një muaj më parë kishte paguar nga 400 deri në 450 euro, duke e konsideruar rritjen si të pakuptimtë dhe të papërballueshme për një biznes të vogël.
“Na kanë zënë në gjumë si qytetarë,” ka thënë ai, duke vënë theksin se pasojat tashmë po i ndjejnë jo vetëm qytetarët, por edhe bizneset e vogla dhe të mëdha. Sipas tij, shteti mbahet në këmbë nga sektori privat, ndërsa institucionet shtetërore nuk prodhojnë asgjë konkrete.
Ai ka akuzuar qeverinë për mungesë kujdesi ndaj qytetarëve dhe bizneseve, duke kujtuar se të gjitha të hyrat dhe pagat e sektorit publik burojnë pikërisht nga kontributi i sektorit privat.
“Ky nuk është problem vetëm i imi – është problem i të gjithëve”, ka përfunduar ai, duke kërkuar që të trajtohet me urgjencë kriza e çmimeve të energjisë elektrike në vend.